Select Page

– “Allahu është Një! Nuk ka të adhuruar tjetër (me meritë) përveç Tij. Ai është (El Hajju) i Gjallë dhe (El Kajûm) i Përjetshëm.” – Allahu i Lartësuar e fillon këtë sure duke përmendur njëshmërinë e Tij në meritën për adhurim, ose me teuhidin uluhije.   Allahu është Zoti. Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë përveç Tij. Adhurimi dhe nënshtrimi nuk lejohet të bëhen për asnjë tjetër veç Tij. Çdo i adhuruar tjetër, veç Tij, është i kotë, i padobishëm, i pavlefshëm. I Adhuruari i vërtetë është Allahu,  sepse Ai i ka cilësitë që duhet të ketë një i adhuruar.

Dy cilësitë kryesore të Tij si Zot janë ato që tregojnë dy emrat e përmendur në këtë ajet: Hajju dhe Kajjûm. El Hajju quhet ai që gëzon jetën e plotë nga çdo aspekt, pa asnjë mangësi. Nëse Allahu ka këtë emër dhe cilësi, atëherë patjetër që duhet të ketë edhe cilësi të tjera absolute të Qenies së Tij, sikurse janë: të dëgjuarit, të shikuarit, dituria, pushteti, fuqia etj., sepse ndryshe Ai nuk do ta meritonte të quhej El Hajju, me kuptimin e plotë të kësaj fjale. Emri i Allahut El Kajjum tregon se Ai nuk ka nevojë për asgjë dhe për asnjë përkujdesje, ndërkohë që gjithçka tjetër ka nevojë për përkujdesjen e Tij.

Ai ekziston pa pasur nevojën dhe ndihmën e asgjëje. Ai është i pavarur nga gjithçka, ndërsa të gjitha krijesat janë të varura prej Tij, sepse Ai i krijon, i furnizon dhe u mundëson vazhdimësinë e ekzistencës. Ai i udhëzon robërit e Vet drejt çdo të mire që rregullon jo vetëm trupin, por edhe zemrën dhe shpirtin e tyre. Shenjë e përkujdesjes së Tij për krijesat, madje treguesi më i madh i mëshirës së Tij ndaj tyre, është shpallja e Kur’ânit dhe dërgimi i Profetit (a.s).