Select Page

– “Ai udhëzon tek e vërteta …” – Domethënë, që udhëzon njerëzit të arrijnë dhe plotësojnë mirësitë dhe synimet e fesë dhe dynjasë së tyre.

– “… prandaj i besuam atij dhe kurrë nuk do të adhurojmë askënd tjetër, veç Zotit tonë.” – Ata bënë për vete imanin, i cili përfshin të gjitha veprat e mira, dhe devotshmërinë, që nënkupton lënien e të këqijave, në krye të të cilave është shirk-u. Nga kjo kuptojmë se shtysa drejt imanit ishin pikërisht ato që dëgjuan nga Kur’ani, pra, udhëzimet dhe mësimet e vyera të tij.

Udhëzimet e Kur’anit për arritjen e mirësisë dhe për ruajtjen nga e keqja janë të qarta dhe të padiskutueshme, për ata që ndriçohen nga drita e tij dhe duan të udhëzohen me të. Imani i dobishëm sjell fryte të mira. Ky është imani i ndërtuar  mbi udhëzimet e Kur’anit, ndryshe nga imani i përciptë dhe thjesht zakonor. Ata që e pranojnë dhe pasojnë fenë thjesht si traditë të të parëve të tyre, pa u mbështetur në mësimet e Kur’anit dhe Sunetit, ata janë të rrezikuar vazhdimisht nga dyshimet ose nga sprova të tjera.