Select Page

– “Zoti ynë! Ne dëgjuam një thirrës që ftonte për Besim (e që thoshte): “Besoni në Zotin!”” – Këtu është fjala për Muhamedin (a.s.), sepse ai i ftoi njerëzit në besimin e pastër monotesit dhe i nxiti ata që ta pasojnë rrugën e shpëtimit. Ai i tregoi të gjitha piketat e kësaj rruge. Profeti (a.s.) sqaroi si themelet e besimit të vërtetë ashtu edhe degëzimet e tij.

– “E ne besuam!” – Kuptimi: Ne iu përgjigjëm thirrjes së tij dhe shpejtuam drejt udhës së treguar prej tij. Në këtë lutje të mrekullueshme që këta fatlumë i drejtojnë Allahut të Lartësuar ka ngjyra të forta mirënjohjeje dhe dashurie për Atë që u dhuroi besimin. Ajo është gjithashtu një kërkesë me edukatë, përgjërim dhe përulje, që Allahu t’ua vazhdojë dritën që ua ka dhënë fillimisht.

Ky është një ndërmjetësim i mrekullueshëm tek i Madhëruari me një nga mënyrat më të bukura të ndërmjetësimit: me veprat e mira të kryera për hir të Tij. Është vetëm suksesi i falur nga Bujari, që i bëri këta njerëz që të luten me të tilla fjalë.

– “Zoti ynë! Na i fal gjynahet tona, na i mbulo të metat,” – Pra, pas kësaj hyrjeje me edukatë, vjen lutja për falje e mbulim gjynahesh dhe lutja për sukses në kryerjen e veprave të mira, të cilat i fshijnë të këqijat. Kjo është shprehje e bindjes së patundur se Ai që u dhuroi mirësinë e besimit të pastër dhe të vërtetë, po Ai do t’ua japë shpëtimin e përjetshëm.