– “E nëse heqin dorë, atëherë Allahu është, pa dyshim, Falës i Madh e Mëshirëplotë.” – Dikush mund të mendojë, me të drejtë, se zhvillimi i luftës në Xhaminë e Shenjtë është një krim shumë i rëndë, atëherë, si është e mundur që kjo të lejohet?! Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar thotë se fitne-ja është më e keqe se vetë vrasja dhe lufta në Xhaminë e Shenjtë.
Kësisoj, fitne-ja ose sprovimi i njerëzve me kufër dhe duke i penguar ata nga rruga e drejtë, është më e keqe sesa lufta që zhvillohet në Xhaminë e Shenjtë, prandaj nuk ka arsye që muslimanët të shqetësohen për luftën që mund të bëhet atje, të provokuar nga qafirët. Në këtë ajet mbështetet edhe parimi në Islam, i cili thotë: “Lejohet kryerja e një vepre me dëm më të vogël, për të shmangur një tjetër me dëm më të madh”. Më poshtë, Allahu i Lartësuar tregon shkakun e ligjërimit të luftës në rrugën e Tij.