Select Page

– “Por pasi Ai u dhuron atyre fëmijë të mirë, ata i përshkruajnë Atij ortakë në atë që u dhuroi.” – Por, kur Allahun e Lartësuar ua dhuron fëmijën ashtu si ata e kërkonin, domethënë, të plotë e të shëndetshëm, ata, në vend që ta njësojnë të Madhëruarin duke i shprehur vetëm Atij mirënjohjen e plotë për peshqeshin që u bëri, shkojnë dhe falënderojnë e i janë mirënjohës edhe dikujt tjetër, bashkë me Allahun. Ky fenomen i mosmirënjohjes ndaj Allahut shfaqet me mënyra dhe forma të ndryshme, si më poshtë:

1. Këta prindër e mësojnë dhe edukojnë fëmijën, – që Allahu i Lartësuar ua fali ashtu si ata ia kërkuan, – që të adhurojë dikë tjetër veç Tij.

2. Këta prindër i vënë fëmijës emra që tregojnë robëri dhe adhurim ndaj dikujt tjetër veç Allahut, si për shembull, Abdul Kabe (Adhuruesi i Qabes), Abdul Husejn (Adhuruesi i Husejnit) etj.

3. Duke adhuruar e duke lavdëruar dikë tjetër, krahas Allahut të Lartësuar, për këtë mirësi, edhe pse Allahu është i vetmi që dhuron mirësi etj. Në këto ajete ka zhvendosje nga një rrëfim në tjetrin. Në fillim flitet për Ademin (a.s) dhe Havanë, pastaj flitet në përgjithësi për llojin njerëzor.

Kështu, nuk duhet assesi të mendohet se çifti i parë i njerëzimit, Ademi dhe Havaja, bënë shirk në adhurim, por ishin pasardhësit e mëvonshëm që e bënë këtë. Allahu i Lartësuar i ka këshilluar gjithmonë robërit e Tij për t’u larguar nga shirku. Ai gjithmonë ka treguar kotësinë e çdo lloj idhujtarie, madje ka shpallur se shirku, me çdo lloj forme që shfaqet, është padrejtësia më e madhe që mund të kryejë dikush.

– “Por Allahu është i Dëlirë dhe i Lartësuar nga ortakët që ata i përshkruajnë.” – Në ajetet e mësipërme, Allahu i Lartësuar solli argumente madhështore, që tregonin se Ai është i vetmi Krijues, Sundues dhe Mbretërues, që përkujdeset për krijesat e Tij. Për shembull, Ai përmendi se si i krijoi njerëzit nga një person i vetëm, që ishte Ademi (a.s).

Së pari, Allahu krijoi prej Ademit bashkëshorten e tij dhe pastaj, me radhë, të gjithë pasardhësit e tyre. I Madhëruari ka vendosur dashuri dhe dhembshuri mes burrit dhe gruas, që ata të gjejnë prehje e kënaqësi te njëri tjetri. Ai ka bërë që, burri dhe gruaja, duke kënaqur epshin e tyre, të ruajnë vazhdimësinë e jetës.

Është Allahu i Gjithëditur që krijon embrionin në barkun e nënës, ku kalon një kohë të përcaktuar deri në krijimin e plotë të tij. Gjatë kësaj kohe, prindërit përmallohen dhe e presin këtë fëmijë plot dashuri. Ata e lusin Allahun e Lartësuar që ky fëmijë të dalë në jetë i saktë dhe i shëndetshëm, pa asnjë mangësi, dhe Zoti i tyre ua plotëson këtë dëshirë. Atëherë, a nuk e meriton Allahu i Lartësuar, me të gjitha këto mrekulli që bën e dhuron, që të adhurohet si Një, i Vetëm dhe i Pashoq nga krijesat e Tij?! Por ja që nuk ndodh gjithmonë kështu, sepse disa nga robërit e Tij adhurojnë e falënderojnë idhuj, e jo Atë, Zotin e tyre.