Select Page

– “O ju që keni besuar! Ju është ndaluar të trashëgoni gratë (e të vdekurve) kundër dëshirës së tyre. Mos u sillni vrazhdë me gratë me qëllim që t’u merrni një pjesë nga ajo (dhurata martesore) që u keni dhënë, përveç nëse ato bien në imoralitet!” – Në kohën e injorancës paraislamike, nëse dikush vdiste dhe linte pas gruan e tij, të afërmit e të vdekurit, si vëllai apo djali i xhaxhait, e konsideronin veten si më parësorët për t’u martuar me vejushën e të afërmit të tyre dhe nuk e linin të martohej me të tjerë, pavarësisht dëshirës së saj.

Nëse ndonjë nga ata e pëlqente, martohej me të me një mehër që e përcaktonte vetë ai, donte apo nuk donte ajo. Nëse ajo nuk e pëlqente, ata e ndalonin gruan që të martohej me dikë  tjetër, veç nëse ishte dikush që e pranonin ata. Shpesh, ata e zvarrisnin martesën e saj, derisa ajo të hiqte dorë nga një pjesë e trashëgimisë së përfituar nga bashkëshorti i saj i vdekur apo nga mehri i saj.

Po kështu vepronin edhe ata burra që nuk i donin gratë e tyre, por ua zvarrisnin divorcin, me qëllim që ato të hiqnin dorë nga një pjesë e mehrit të dhuruar. Në këto ajete, Allahu i Lartësuar i ndalon besimtarët nga vepra të tilla të ulëta dhe të padrejta. Këto praktika janë plotësisht të ndaluara, përveç dy rasteve:

1. Nëse ajo vetë është e kënaqur të martohet me të afërmin e burrit të saj të vdekur. Kjo kuptohet nga fjalia: “Ju është ndaluar të trashëgoni gratë (e të vdekurve) kundër dëshirës së tyre.”. Pra, nëse ato janë dakord për diçka të tillë, atëherë  lejohet.

2. Nëse kryejnë ndonjë vepër të ulët, si tradhti apo shpifje e fyerje ndaj burrit. Në të tilla raste, burrit i lejohet që ta zvarrisë divorcin e saj, si ndëshkim për të dhe që të marrë prej saj një pjesë të mehrit që i ka dhënë. Pastaj i Lartësuari tha:

– “Jetoni dhe silluni mirë me to!” – Sjellja e mirë duhet të jetë me vepra dhe me fjalë. Burri duhet ta trajtojë gruan e tij me dashuri e ngrohtësi, larg padrejtësive dhe dhimbjeve. Në trajtimin e mirë hyjnë edhe shpenzimet jetësore për të, veshja, ushqimi etj. Përkujdesja duhet të  jetë  ashtu si është zakon në kohën dhe vendin ku njerëzit jetojnë.

  “Nëse nuk i pëlqeni aq shumë ato, bëni durim, sepse ndodh që ju ta urreni diçka dhe Allahu nëpërmjet saj të japë mirësi të shumta.” – Kjo është një këshillë për burrat. Kështu, edhe nëse ndodh që t’i urrejnë gratë në ndonjë aspekt, duhet të bëjnë durim e të mos i divorcojnë ato, sepse mirësitë e këtij durimi janë të shumta. Së pari, kështu plotësohet porosia e Zotit për bashkëshortet e tyre, gjë e cila sjell lumturinë e dynjasë dhe të ahiretit. Së  dyti, duke detyruar veten që ta mbajnë gruan, ata luftojnë që të cilësohen me virtytet më të larta dhe që ta mbajnë gjallë çerdhen e tyre.

Po ashtu, mund të ndodhë që urrejtja të largohet me kalimin e kohës dhe vendin e saj ta zërë dashuria, respekti, mëshira dhe ngrohtësia, sikurse ka ndodhur dhe ndodh shpesh. Ndoshta nga ajo grua Zoti mund t’u dhurojë një fëmijë të mirë, që të jetë shkaktar mirësish për dynjanë dhe ahiretin. Megjithatë, nëse ndarja është e domosdoshme dhe nuk ka asnjë mundësi për ta mbajtur çerdhen të bashkuar, atëherë divorci është veprim i lejueshëm. Madje, Allahu i Lartësuar thotë: