– “Njerëzit kanë qenë veçse të një feje, por u përçanë. ” – Në fillim njerëzit ishin të bashkuar rreth një besimi të vetëm, të saktë dhe të pastër, por ata më pas u përçanë. Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar dërgoi profetët, si përgëzues dhe qortues. Ai i pajisi ata me Shpallje hyjnore e libër të ndritur, që ata të gjykonin mes njerëzve dhe t’i udhëzonin në ato çështje për të cilat kishin kundërshtime.
– “E sikur të mos ishte caktimi i hershëm nga Zoti yt, çështja e tyre do të përfundonte për çdo gjë që ata kishin kundërshtime. “ – Allahu i Lartësuar na njofton se çështja e gjynahqarëve do të merrte fund nëse nuk do të ishte vendimi i Tij për t’i afatizuar ata dhe për të mos ua përshpejtuar ndëshkimin për gjynahet e tyre. Në të kundërt, Ai do të shpëtonte besimtarët dhe do të ndëshkonte mohuesit e profetëve dhe shpalljeve të Tij, dhe ky do të ishte argumenti tregues dhe ndarës mes të vërtetës dhe të kotës, kur njerëzit të kishin kontradikta. Por Allahu i Urtë dhe i Gjithëmëshirshëm dëshiroi t’i sprovonte me njëri-tjetrin, që të dallohen të sinqertët nga gënjeshtarët.