Select Page

– “Edhe melekët, të cilët janë adhuruesit e të Gjithëmëshirshmit, ata (jobesimtarët) pretenduan se janë femra.” – Pretendimi i tyre që melekët, adhuruesit e palodhur dhe të vazhdueshëm të Allahut, janë femra, është gjithashtu një shpifje për ta. Së pari, sepse në aspektin e nënshtrimit ndaj të Madhërishmit, ata i konsiderojnë melekët si pjesë e Zotit, pra, i ngrejnë më lart se ç’janë.

Ndërsa nga ana tjetër, ata i ulin melekët, duke pretenduar se janë femra e jo meshkuj. Kjo është një kontradiktë në të menduarit e tyre. Melekët nuk kanë gjini dhe janë thjesht adhurues të përkushtuar të Allahut të Lartësuar. Kështu që kjo është një shpifje, për të cilën ata nuk kanë asnjë argument. Ata nuk ishin dëshmitarë kur Allahu krijoi melekët, siç thotë i Lartësuari:

– “A ishin të pranishëm ata në krijimin e tyre?! Dëshmia e tyre do të regjistrohet dhe ata do të merren në pyetje.” – Si flasin për diçka që nuk kanë dije, fakt ky i pranuar nga të gjithë? Të mos mendojnë ata se kjo shpifje e tyre do të kalojë dhe ata nuk do të merren në përgjegjësi. Ata do të pyeten për këtë dëshmi të gënjeshtërt, e cila do t’u shënohet në regjistër, dhe pastaj do të ndëshkohen për të.