Allahu i Madhëruar u thotë robërve të Tij:
– ”A nuk e shikon ti se Allahu i krijoi qiejt dhe Tokën me urtësi?” – Allahu i krijoi ato, me qëllim që njerëzit ta adhurojnë dhe ta njohin si një të vetëm, me emrat, cilësitë e veprat e Tij; i krijoi që t’i urdhërojë dhe ndalojë, t’u vendosë ligjin, sipas të cilit të jetojnë dhe ta adhurojnë; i krijoi që robërit të argumentojnë për cilësitë dhe emrat e bukur dhe të plotë të Tij përmes këtyre krijesave madhështore dhe gjithçkaje që ka mes tyre; i krijoi që ta dinë se Ai që i krijoi qiejt dhe Tokën e gjithçka mes tyre, me atë madhështi e bukuri, është i plotpushtetshëm që t’i ringjallë krijesat e t’i rikthejë në një krijim të ri, për t’i shpërblyer për veprat e mira dhe ato të këqija. Le ta kuptojnë se pushteti i Allahut është më i gjerë dhe i plotë se kaq. Ai thotë:
– ”Nëse dëshiron, Ai ju zhduk ju dhe sjell një Krijim të ri.” – Një kuptim i këtij ajeti është: Allahu ju zhduk ju dhe sjell njerëz të tjerë, që të jenë më të bindur sesa ju. Kuptimi tjetër është: Ai ju zhduk në këtë jetë, dhe pastaj ju sjell përsëri në jetë me një krijim të ri Ditën e Gjykimit, për t’ju marrë në llogari dhe për t’ju shpërblyer ose ndëshkuar, me bamirësinë ose drejtësinë e Tij. Ky kuptim i dytë është më i mundshëm, sepse mbështetet edhe nga konteksti në vazhdim, që flet për Ditën e Gjykimit dhe skenat e saj.