Select Page

Allahu i Lartësuar i drejtohet profetit të Tij, Muhamedit a.s, dhe i thotë:

– “Të pyesin ty rreth Orës (së Kjametit) – kur do të ndodhë?” – Këtu bëhet fjalë për ata që e mohonin Muhamedin a.s, duke e konsideruar atë si mashtrues. Ata pyesnin për Kijametin, se kur do të jetë ora e tij, kur do të jetë dita e fundit e kësaj bote. Allahu i Lartësuar e urdhëron Profetin e Tij që t’u përgjigjet duke thënë:

– “Thuaj: “Atë e di vetëm Zoti im.” – Allahu i Lartësuar e mban këtë dituri vetëm për Veten e Tij, pa ia treguar askujt prej krijesave të Tij.

– “Askush, veç Tij nuk mund ta zbulojë kur do të ndodhë.” – Asnjë nuk ka për ta mësuar çastin e Kijametit para se ai të ndodhë. Këtë sekret e di veçse Allahu i Lartësuar.

– “Kjo barrë është shumë e rëndë për gjithçka në qiej dhe në tokë.” – Njohja e Ditës së Fundit është bërë e pamundur për banorët e qiejve dhe të tokës, prandaj edhe çështja e saj është shumë e rëndë dhe e frikshme për ta.

– “Ajo ka për të ardhur veçse befas.  – Krijesat nuk do ta kuptojnë momentin kur të vijë ajo ditë, e cila do t’i kapë në befasi. Ata nuk do të kenë mundësi të përgatiten për të, që të përballojnë vështirësitë dhe tmerret e saj.

– “Ata të pyesin ty, sikur ti të kishe zbuluar dijen rreth saj.” – Për ata ka shumë rëndësi të dinë se kur do të ndodhë Kijameti, madje iu dukesh tejet mospërfillës për pyetjen që të bëjnë. Por nuk e dinë ata të shkretë se ti ke dituri të plotë rreth Zotit tënd dhe e di shumë mirë se çfarë pyetjesh janë të dobishme dhe çfarë jo. Për këtë arsye, ti  nuk i jep shumë rëndësi çështjes se kur do të ndodhë Kijameti.

Atëherë, pse ata nuk të marrin ty si shembull?! Përse nuk mësojnë nga sjellja, dituria dhe maturia jote?! Përse nuk heqin dorë nga kjo pyetje e padobishme?! Aq më tepër që këtë njohuri nuk e ka patur dhe nuk e ka asnjë profet apo melek afër Zotit të Lartësuar. Kjo thjesht është një nga çështjet që Allahu i Lartësuar, me urtësinë e Tij, e mban në sekret të plotë nga krijesat.

– “Thuaj: “Për të di vetëm Allahu”, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” – Për shkak të paditurisë së tyre, ata u japin rëndësi çështjeve që nuk kanë dobi për ta. Nga ana tjetër, ata nuk pyesin për ato gjëra që vërtet e kanë detyrë të pyesin dhe të informohen, sepse do të mbajnë përgjegjësi për to.