– “Nëse druheni se testamentlënësi po largohet nga drejtësia, gabimisht ose qëllimisht, dhe vendosni drejtësinë, për ju nuk ka asnjë gjynah. Vërtet, Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë.” – Pra, Allahu i Lartësuar i fal të gjitha gabimet e robërve . Ai është shumë i butë dhe tolerues me ata që pendohen. Ai është Falës i atij robi që heq dorë nga pasuria që i takon, për t’i dhënë përparësi më shumë vëllait të vet, në shenjë bamirësie, drejtësie dhe mëshire. Kush tregohet tolerant me të tjerët, ta dijë se edhe Allahu i Lartësuar do të tregohet tolerant me të.
Madje, nëse njerëzit vendosin që ta rregullojnë çështjen e testamentit me mirëkuptim mes tyre, duke shpresuar që i vdekuri i tyre të falet nga Allahu i Lartësuar për padrejtësinë në porosinë e tij, atëherë Allahu i Lartësuar nuk ka për t’i zhgënyer, por ka për ta falur të vdekurin, për shkak të veprimit të tyre, sepse Allahu i Lartësuar i mëshiron shumë adhuruesit e Tij. A nuk është shprehje e mëshirës së Tij edhe ky ligj i Tij, nëpërmjet të cilit njerëzit mëshirojnë dhe përkujdesen për njëri-tjetrin?!
Ajetet janë një nxitje e fortë që njeriu të lërë testament, duke përcaktuar me drejtësi ata që përfitojnë prej tij, pasi për çdo padrejtësi do të mbahet përgjegjësi. Ajetet nxisin, gjithashtu, për gjetjen e mirëkuptimit dhe vendosjen e drejtësisë, edhe sikur për këtë do të duhet të ndryshohet (vasijeti) porosia.