– “Nuk është i pranueshëm pendimi i atyre që vazhdimisht bëjnë vepra të këqija dhe vetëm atëherë kur ndonjërit prej tyre i vjen vdekja, thotë “Unë tani me të vërtetë u pendova.”, as pendimi i atyre që vdesin si jobesimtarë. Për ta kemi përgatitur dënimin më të ashpër.” – Kjo sepse pendimi në të tilla raste është i detyruar. Pendim i vlefshëm është ai që bëhet me zgjedhje të lirë nga personi. Thënia e Allahut: “…dhe pendohen menjëherë” mund të ketë edhe kuptimin: menjëherë pas kryerjes së gjynaheve. Pra, në këtë rast kuptimi i ajetit është: atyre që, menjëherë pas gjynahut, pendohen dhe përpiqen që kurrë të mos i kthehet atij gabimi, atyre Zoti ua pranon pendimin. Ndërsa ata që vazhdojnë në gjynahet e tyre dhe nuk kthejnë rrugë, nuk shqetësohen dhe nuk përpiqen të largohen prej gjynaheve, ata nuk janë penduar shpejt.
Ata që i kanë bërë gjynahet cilësi të pandashme të tyre është vështirë që të pendohen plotësisht. Kryesisht këtyre njerëzve nuk u jepet sukses që të pendohen dhe nuk u lehtësohen rrugët e pendimit. Të tillë janë ata që e kryejnë të keqen me dije të plotë, me vetëdije dhe siguri për dëmin që ajo sjell dhe duke shpërfillur vështrimin e Allahut mbi ta. Këta ia kanë mbyllur vetes dyert e mëshirës së Allahut. Megjithatë, nuk është e pamundur që edhe një njeriu i cili vazhdon me gjynahe me vetëdije të plotë për dëmin që ato sjellin, t’i jepet mundësia që të pendohet plotësisht dhe sinqerisht, duke iu fshirë të gjitha gjynahet e kaluara. Por, sidoqoftë, mëshira dhe bamirësia e Zotit është më pranë atyre të parëve. Allahu i Lartësuar e mbyll ajetin me fjalët:
– “Allahu është i Gjithëditur e i Urtë.” – Allahu i Lartësuar është i Gjithëditur për atë që pendohet sinqerisht dhe për atë që është gënjeshtar. Secilin nga këta, Allahu do ta shpërblejë sipas asaj që meriton, me urtësinë e Tij absolute. Po me urtësinë e Tij, Ai i jep sukses që të pendohet atij që e meriton këtë mirësi, ndërsa me drejtësinë e Tij, Ai e privon nga pendimi atë që në të vërtetë nuk e do pendimin. Allahu është më i ditur për gjithçka.