– “Judejtë dhe të krishterët thanë: “Ne jemi bijtë e Allahut dhe të dashurit e Tij (nga njerëzit)”.” – Sipas shpjegimit dhe kuptimit të saktë, fjala “bir” ka kuptimin: “i dashur, i zgjedhur”, dhe nuk nënkupton birësinë e lindjes. Ata që e kuptojnë birësinë me kuptimin e drejtpërdrejtë, pra të lindjes, janë të krishterët, të cilët pretendojnë për Isain (a.s)se është biri i lindur nga Zoti. Por Allahu i Madhëruar ua kthen atyre këtë pretendim të pabazë:
– “Thuaju: “E pse, pra, Ai ju dënon për gjynahet tuaja?” – Nëse do të ishit vërtet të dashurit dhe të zgjedhurit e Zotit, atëherë pse ju ndëshkon për gjynahet tuaja? Dihet mirë se Allahu i Madhërishëm përzgjedh veç ata që angazhohen maksimalisht për ta merituar statusin “të dashur të Zotit”, duke bërë vepra të mira, që e kënaqin Zotin.
– “Jo, ju jeni veçse njerëz, nga njerëzit që Ai ka krijuar. Ai fal atë që do dhe dënon atë që do.” – Kuptimi: Edhe ju jeni të nënshtruar, edhe mbi ju zbatohet drejtësia dhe bamirësia e Zotit, ashtu sikurse mbi të gjithë njerëzit e tjerë, sipas urtësisë së Tij. Është Ai që vendos, me urtësinë dhe diturinë e Tij, për ata që i fal apo i ndëshkon. Çdokush që e ka bërë hak shpërblimin, Zoti e shpërblen me bujarinë e Tij. Çdokush që e ka bërë hak ndëshkimin, Zoti e ndëshkon me drejtësinë e Tij.
– “Vetëm Allahut i takon sundimi i qiejve, i Tokës dhe i gjithçkaje që gjendet në mes tyre, dhe vetëm tek Ai është kthimi.” – Gjithçka në qiej e në tokë është pasuri dhe pronë e Allahut të vetëm. Atij i takon pushteti mbi to. Çdo gjë është krijesë e të Madhërishmit, mbi të cilën zbatohen ligjet e Tij. Atëherë, çfarë të veçante keni ju, që të jeni të zgjedhurit dhe të dashurit e Allahut. Edhe ju, ashtu sikurse të gjithë të tjerët, do të ktheheni tek i Plotpushtetshmi i Vetëm, në Ditën e Fundit, dhe është Ai që çdokujt do t’i japë shpërblimin e merituar.