– “Ditën kur Allahu t’i ringjallë të gjithë, ata do t’i betohen Atij, sikurse ju betohen juve, duke pandehur se kështu do të arrijnë diçka. Në fakt, ata janë veç gënjeshtarë.” – Ai që jeton në një mënyrë, ashtu do të vdesë. Kështu, munafikët në jetën e dynjasë u betohen besimtarëve se janë me ta. Po kështu, edhe Ditën e Gjykimit, kur Allahu t’i ringjallë të gjithë, ata do t’i betohen Atij ashtu sikurse u betohen besimtarëve, duke pandehur se edhe atje do t’u vlejnë betimet. Mohimi, hipokrizia dhe besimi i prishur iu nguliten në zemër, aq sa vetëmashtrohen se vërtet mund të arrijnë diçka me betimet e tyre.
Por ata gënjejnë, dhe dihet që gënjeshtra nuk funksionon tek Allahu, te Njohësi i të dukshmes dhe i të fshehtave. Ky është, gjithashtu, roli i Shejtanit të mallkuar, që i ka vënë nën vete. I Mallkuari, duke ua zbukuruar veprat e tyre, i bën që të harrojnë kujtimin e Allahut. Shejtani është armik i hapur dhe i përbetuar i njeriut, pasi synon veçse ligësinë për të, sikurse thotë i Madhëruari: “Shejtani është armiku juaji. Prandaj edhe ju konsiderojeni si armik! Ai i fton ithtarët e vet, për t’i bërë banorë të zjarrit.” [Fatir 6].