– ”Askush nuk do të ngarkohet me barrën (gjynahet) e tjetrit.” – Ditën e Kijametit, çdokush do të shpërblehet sipas veprave të tij dhe askush nuk do të bartë gjynahet e të tjerëve.
– ”Edhe nëse i rënduari me gjynahe thërret ndonjë për t’ia bartur ato, askush nuk do të mund t’ia bartë ato, edhe nëse është nga të afërmit e tij.” – Njerëzit që janë të ngarkuar me gjynahe e padrejtësi do të kërkojnë që ndokush t’i ndihmojë e të mbajë një pjesë të peshës së atyre gjynaheve, po askush nuk ka për t’i ndihmuar, edhe sikur të jenë të afërmit dhe miqtë më të ngushtë në këtë dynja. I afërmi nuk pyet aspak për të afërmin.
Gjendja në ahiret ndryshon nga dynjaja, në të cilën të dashurit bëjnë për njëri-tjetrin dhe shoku e ndihmon shokun. Ndërsa Ditën e Gjykimit, njeriu do të dëshirojë të gjejë ndonjë mundësi sado të vogël për të përfituar diçka nga të tjerët. Aty njerëzit do t’i kërkojnë me të madhe çdo padrejtësi që u kanë bërë të tjerët. Madje, edhe sikur të bëhej fjalë për prindërit dhe të afërmit, do të kërkojë prej tyre edhe një grimcë të drejte, sado e vogël të jetë ajo.
– ”Ti mund t’u tërheqësh vërejtjen veçse atyre që e kanë frikë Zotin e tyre në fshehtësi dhe e falin rregullisht namazin.” – Kështu, paralajmërimet u sjellin dobi veçse këtyre lloj njerëzve. Ata e kanë frikë Zotin e tyre edhe kur janë mes njerëzve dhe i shohin të tjerët, por edhe kur nuk i sheh askush veç Zotit. Këta e falin rregullisht dhe me shumë kujdes namazin, duke përmbushur kushtet, shtyllat, detyrat dhe çdo fjalë e vepër të pëlqyeshme të namazit.
Ata përpiqen që ta falin namazin duke përmbushur atë që konsiderohet si thelbi dhe shpirti i namazit: frikërespekti e përunjësia ndaj Zotit. Kështu, ata e përforcojnë drojën nga Zoti në zemrat e tyre. Është pikërisht kjo drojë, që i bën ata të jenë shumë të kujdesshëm në përmbushjen e çdo urdhërese të Zotit dhe në largimin e ruajtjen nga çdo ndalesë. Ata i frikësohen dënimit të Allahut, nëse i shkelin këta kufij. Namazi i forcon ata për të bërë vepra të mira dhe për t’u larguar nga çdo ligësi.
– ”Dhe kush e pastron veten, e ka për të mirën e vet dhe tek Allahu do të kthehen të gjithë.” – Ai e pastron veten nga mangësitë e gabimet, nga syfaqësia, mendjemadhësia, mashtrimi, hilet, intrigat e hipokrizia e shumë cilësi të ulta. Nga ana tjetër, Ai stoliset me cilësi të larta, si vërtetësia, çiltërsia, modestia, butësia, dhembshuria, dashamirësia për të tjerët, si edhe zemërpastërtia nga urrejtja, zilia e shumë cilësi të ulta të moralit.
Çdokush që e pastrohet nga ligësitë dhe stoliset me virtyte të larta, i bën dobi veçse vetes. Asgjë nga këto vepra të mira nuk ka për të humbur apo shkuar kot. Allahu i Madhëruar thotë: “…tek Allahu do të kthehen të gjithë.” Ai do t’i shpërblejë krijesat për atë që kanë bërë dhe do t’i marrë në pyetje për gjithçka kanë bërë. Ai nuk ka për të lënë asgjë, të madhe a të vogël pa ua nxjerë në shesh atë ditë, sepse Ai i ka ruajtur dhe shënuar plotësisht ato.