Select Page

A nuk e shikon ti se Allahut i nënshtrohet (i bën sexhde) gjithçka që është në qiej dhe gjithçka që është në Tokë; Dielli, Hëna, yjet, kodrat, drurët, kafshët dhe një numër i madh njerëzish? Por, janë shumë prej tyre që e meritojnë dënimin. Atë që e poshtëron Allahu askush nuk mund ta nderojë. Allahu bën atë që dëshiron. – A nuk di, o Profet, se Allahut i bie në sexhde dhe i është nënshtruar çdo gjë që është në qiell dhe në tokë?

Melekët dhe krijesat më të mëdha, si dielli, hëna, yjet, malet, pemët dhe kafshët janë të përulur dhe të nënshtruar ndaj Tij. Ky lloj nënshtrimi është i përgjithshëm dhe asnjë krijesë nuk bën përjashtim në këtë aspekt. Por Allahut i përulen me vullnet të lirë edhe shumë njerëz besimtarë. Nga ana tjetër, për shumë njerëz është bërë i meritueshëm ndëshkimi. Ata do të jenë të poshtëruar, dhe atë që Allahu e poshtëron, nuk ka për ta nderuar kush. Allahu bën çfarë dëshiron me krijesat, sipas urtësisë së Tij.127

127 Marrë nga Tefsir el Mujeser

Kronologji e traditës së Profeti a.s. në marrëdhëniet me qafirët dhe munafikët nga momenti i Shpalljes së parë deri kur shkoi tek Allahu i Lartësuar.

Të parat fjalë që Allahu i Lartësuar i shpalli Profetit a.s. ishin: “Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (gjithçka); e krijoi njeriun nga një droçkë gjaku! Lexo! Zoti yt është më Bujari” (Alak 1-3). Këto shënojnë hapjen e Shpalljes hyjnore që po i zbriste. Në këto ajete, Allahu i Lartësuar e urdhëron atë të lexojë në veten e tij dhe nuk e urdhëron që t’ua përçojë ato fjalë të tjerëve. Më pas Ai i shpall ajetet: “O ti, i mbështjellë (o Muhamed)! Çohu dhe paralajmëro! Zotin tënd madhëroje! Petkat e tua pastroji dhe largohu nga ndyrësia (adhurimi i idhujve)!” (Mudethir 1-5).

Kështu pra, me ajetet: “Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (gjithçka); e krijoi njeriun nga një droçkë gjaku! Lexo! Zoti yt është më Bujari”, ai mori titullin ‘Nebij’ (i lajmëruar me Shpallje hyjnore). Ndërsa me ajetet: “O ti, i mbështjellë (o Muhamed)! Çohu dhe paralajmëro! Zotin tënd madhëroje! Petkat e tua pastroji dhe largohu nga ndyrësia (adhurimi i idhujve)!” ai mori titullin ‘Resul’ (i dërguar për t’u kumtuar njerëzve mesazhet e Allahut). Pastaj Allahu i Madhëruari e urdhëroi atë që t’u tërheqte vërejtjen, fillimisht, farefisit të tij të afërt, popullit të tij (kurejshëve), arabëve që jetonin rreth tyre, pastaj gjithë arabëve të tjerë, dhe më pas mbarë botës.

Pas shpalljes së profetësisë së tij, ai qëndroi më se dhjetë vite për t’i ftuar njerëzit në rrugën e Allahut pa luftë dhe pa xhizje. Gjatë kësaj kohe ai urdhërohej prej Allahut të Lartësuar që të ruante vetëpërmbajtjen, durimin, dhe të ishte falës dhe i butë me ata që e mundonin. Më pas atij iu dha leja për të emigruar, pastaj për të zhvilluar luftë fillimisht vetëm kundër atyre që e luftonin, duke i lënë të qetë ata që nuk e ngacmonin. Dhe përfundimisht Ai e urdhëroi të luftonte kundër idhujtarëve, derisa i gjithë adhurimi t’i përkushtohej vetëm Allahut të Lartësuar. Pas urdhrit për luftë, idhujtarët, në raport me të, u ndanë në tri grupe:

– Idhujtarë me të cilët ai lidhi marrëveshje paqeje dhe armëpushimi;

– idhujtarë me të cilët ishte në marrëdhënie lufte;

– idhujtarë që jetonin brenda shtetit islam dhe që kishin nënshkruar marrëveshjen e dhimme-s (siguracionit për jetën dhe pasurinë).

Allahu i Lartësuar e urdhëroi atë që t’i përmbahej paktit me grupin e parë, për sa kohë ata i përmbaheshin atij. Nëse prej tyre vërehej ndonjë shenjë tradhtie apo hileje, ai duhej t’ua kthente mbrapsht marrëveshjen dhe, para se t’i luftonte, duhej t’i lajmëronte për prishjen e paktit. Urdhri i Allahut të Lartësuar ishte që të luftohej çdokush që thyente paktet dhe marrëveshjet.

Me shpalljen e sures Teube, erdhi sqarimi përfundimtar për qëndrimin ndaj këtyre tri grupeve. Me ajetet e saj, Allahu i Lartësuar e urdhëroi Profetin e Tij të luftonte kundër ehlu kitab-ëve derisa të jepnin xhizjen ose të pranonin Islamin. Ai e urdhëroi gjithashtu të luftonte kundër qafirëve dhe munafikëve, dhe të tregonte ashpërsi kundër tyre. Kështu, Profeti i Allahut i luftoi qafirët me shpatë dhe me forcë, ndërsa munafikët i luftoi me argumentim të pastër dhe me fjalë të qartë. Në këto ajete Allahu i Lartësuar e urdhëron Profetin e Tij që të deklarojë lirimin prej detyrimeve që rridhnin nga marrëveshjet e lidhura më parë me kafirët dhe që t’i lajmëronte ata se nuk kishte më marrëveshje mes tyre, por, sipas këtyre ajeteve, qafirët, me të cilët Profeti a.s. pati marrëveshje, do të klasifikoheshin në tri grupe:

– Një grup të cilët e thyen paktin me të dhe e luftuan. Profeti a.s. u urdhërua që, kundër tyre të zhvillonte luftë. Ashtu veproi dhe doli fitimtar.

– Një grup me të cilët marrëveshja ishte deri në një afat të caktuar dhe të cilët nuk e thyen paktin me të. Për këta Profeti a.s. u urdhërua që ta plotësonte afatin e marrëveshjes me ta, sipas caktimit.

– Një grup tjetër me të cilët Profeti a.s. nuk kishte marrëveshje, por që nuk e patën luftuar atë, ose me të cilët kishte marrëveshje të pakufizuar në kohë, të hapur. Për këta Profeti a.s. u urdhërua që t’u linte afat dhe t’i linte në paqe për katër muaj, por me të mbaruar katër muajt, do të fillonte luftën. Janë këta katër muajt e përmendur në ajetin 2 të sures Teube: “Udhëtoni nëpër botë ju (idhujtarë) edhe katër muaj (të sigurt), por ta dini se nuk do të mund t’i shpëtoni Allahut dhe se Allahu do t’i poshtërojë mohuesit.”

Janë pikërisht katër muajt e paprekshmërisë së jetës (hurum), siç tregon dhe ajeti më poshtë: “Kur të kalojnë muajt e paprekshmërisë (në të cilët ndalohet lufta), atëherë i vritni idhujtarët kudo që t’i ndeshni, i zini robër, i rrethoni dhe u bëni pusi kudo! Por, nëse pendohen, falin namazin dhe japin zeqatin, atëherë i lini të qetë! Vërtet, Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.” (Teube 5). 

Muajt e lënies në paqe ishin katër muajt e paprekshmërisë së jetës.