Select Page

Allahu i Lartësuar na tregon se të devijuarit dhe të humburit, që ndjekin Iblisin e mallkuar, janë vërtet shumë:

– “Shumë janë xhindet dhe njerëzit që Ne i bëmë për Xhehenem.” – Shumë njerëz dhe xhindë që kemi krijuar kanë për të hyrë në Xhehenem. Edhe kafshët janë më mirë se këta të humbur, pasi:

– “Ata kanë zemra me të cilat nuk kuptojnë, …” – Në zemrën e tyre nuk arrin njohja e besimit dhe mesazhit të Zotit. Ata nuk përfitojnë aspak nga mesazhi hyjnor, përveçse nuk do të kenë më justifikim përpara Zotit.

– “… kanë sy me të cilët nuk shikojnë …” – Ata nuk shohin çfarë është e dobishme për ta. Ata janë të verbër para shenjave dhe fakteve të Zotit të Madhërishëm.

– “… dhe kanë veshë me të cilët nuk dëgjojnë.” – Ata nuk e dëgjojnë të vërtetën, sipas së cilës duhet të jetojnë dhe ta adhurojnë Allahun e Lartësuar.

– “Ata janë si kafshët, …” – Njerëzit me të tilla cilësi të shëmtuara janë si kafshët, të cilat nuk kanë logjikë e arsye, sepse i japin përparësi asaj që do të zhduket, kundrejt asaj që do të jetë e përjetshme. Madje, Allahu i Lartësuar thotë se këta janë më të humbur sesa kafshët:

– “… madje edhe më të humbur.” – Janë më të humbur, sepse kafshët e plotësojnë qëllimin për të cilin janë krijuar. Madje, ato kanë njëfarë aftësie për të dalluar se çfarë u bën mirë dhe çfarë u bën keq.

– “Këta janë ata që shpërfillin paralajmërimet (e Zotit). – Ata janë të hutuar ndaj më të mirës, ndaj besimit në Zot dhe ndaj zbatimit të urdhrave të Tij. Ata i kanë kthyer shpinën kujtimit të Allahut të Madhëruar. Zemra e tyre, logjika, të dëgjuarit e të shikuarit u krijuan për ta, me qëllim që ata të kuptonin fenë dhe detyrimet ndaj Zotit dhe pastaj t’i  zbatonin ato me përpikmëri, por ata bëjnë të kundërtën e këtij qëllimi.

Prandaj, ata e meritojnë që Allahu i Lartësuar t’i  lërë për në Xhehenem. Ndërsa ata që besojnë dhe, me dashuri, i përdorin dhuntitë e tyre për të adhuruar Allahun e Lartësuar, ata nuk janë të hutuar, prandaj do të jenë banorë të Xhenetit, duke bërë vepra të banorëve të Xhenetit.