Select Page

– “Allahu nuk do t’i lërë kurrë besimtarët, ashtu siç jeni ju, pa dalluar të keqin nga i miri.” – Nuk i takon urtësisë së Allahut të Gjithëditur që t’i lërë muslimanët në atë gjendje, pa u dalluar qartë i keqi nga i miri, besimtari nga munafiku, i sinqerti nga gënjeshtari.

– “Allahu nuk do t’ju lejonte juve t’i zbuloni të fshehtat (që i di vetëm Ai). Por Allahu zgjedh atë që do nga të dërguarit e Tij (për t’ia zbuluar të fshehtat). Prandaj, besojini Allahut dhe të dërguarve të Tij. Nëse besoni dhe ruheni, do të keni një shpërblim të madh.” – Nuk i takon urtësisë së Tij që t’i lejojë krijesat të shohin dhe të njohin të fshehtën. Vetëm profetëve u lejoi diçka nga kjo.

Nga ana tjetër, është Allahu që zgjedh prej njerëzve se cilët do të bëhen profetë, për t’u përcjellë Shpalljen hyjnore, që sjell jetë, lumturi, dritë dhe udhëzim. Urtësia e Allahut kërkon që krijesat e Tij të sprovohen dhe të dallohen në besimin e tyre, sepse nëpërmjet sprovave dalin në pah e keqja dhe e mira. Sprovat e Tij janë të shumta dhe të gjitha shërbejnë për sigurinë e besimit dhe sinqeritetit.

Allahu i dërgoi profetët dhe na urdhëroi që t’u bindemi dhe t’i pasojmë ata në rrugën e tyre. Ai na urdhëroi që t’i besojmë se flasin të vërtetën dhe urdhërojnë në emër të Zotit. Nëse i besojmë dhe u bindemi urdhrave të tyre, Ai na ka premtuar shpërblim të madh. Me besim të sinqertë dhe me devotshmëri fiton premtimin e Bujarit të Mëshirshëm.

Në varësi të bindjes dhe pasimit të profetëve, njerëzit janë ndarë në dy grupe: të bindur dhe të pabindur, besimtarë të sinqertë dhe munafikë, të dorëzuar ndaj Krijuesit të gjithësisë dhe shpërfillës ndaj fesë së Tij. Çdo njeri meriton shpërblimin ose ndëshkimin. Kështu del në pah drejtësia, bamirësia, mëshira dhe urtësia madhështore e Allahut në krijimin e Tij.