Select Page

– “Të mos mendojnë jobesimtarët se afatin që Ne u kemi dhënë të jetojnë është në dobi të tyre.” – Ata që e mohojnë Zotin e tyre, që e flakin pas shpine fenë e Tij dhe që e luftojnë Profetin e Tij, të mos mendojnë se është në të mirë të tyre që Zoti vazhdon i lë të jetojnë në këtë dynja, duke i afatizuar dhe duke mos i shfarosur menjëherë. Kjo nuk tregon aspak dashurinë e Zotit për ta.

Jo, kurrsesi! Çështja nuk është ashtu si mendojnë ata. Me afatizimin dhe mosndëshkimin e shpejtë të tyre, Allahu i Lartësuar do veçse një ndëshkim më të ashpër për ta.  Duke i afatizuar ata do t’i shtojnë edhe më tepër padrejtësitë, për të cilat do të merren në llogari nga i Drejti dhe i Plotpushtetshmi.

– “Ne i lëmë të jetojnë veç që të shtojnë edhe më shumë gjynahet e tyre. Ata i pret një dënim poshtërues.” – Allahu i Lartësuar i afatizon kriminelët ose të prishurit që padrejtësitë e tyre të shtohen aq shumë, saqë pastaj Ai t’i ndëshkojë ata sikurse ndëshkon Krenari, i Plotpushtetshmi. Le të kenë kujdes të padrejtët për çdo afatizim që vërejnë se po iu jepet, dhe kurrë të mos mendojnë se po i shpëtojnë ndëshkimit të Allahut të Madhërishëm e të Lartësuar!