Këto ajete janë një kërcënim i ashpër për këdo që fsheh diçka prej Shpalljeve që Allahu i Lartësuar u dha profetëve. Ato janë kërcënim për këdo që fsheh dijen për të cilën Allahu i Lartësuar, atyre që ua dhuroi, u mori besën se do t’ua sqaronin njerëzve dhe nuk do ta fshihnin.
– “Ata që fshehin nga Libri atë që shpalli Allahu, për të fituar me të një shpërblim të vogël …” – Domethënë, ata të cilët për hir të kësaj bote mashtruese dhe të parëndësishme, e shpërfillin urdhrin e Allahut për qartësimin e së vërtetës. Për këta është një kërcënim i ashpër:
– “… ata fusin vetëm zjarr në barkun e tyre.” – Fitimi që ata marrin me mënyrën e fëlliqur është haram e i shëmtuar. Për këtë arsye, zjarri në barkun e tyre është shpërblimi më i drejtë, sipas punës që kanë bërë.
– “Në Ditën e Gjykimit, Allahu nuk do t’u flasë atyre” – Allahu do të jetë i zemëruar me ta, prandaj nuk do t’i përfillë kërkesat e tyre. Kjo do të jetë shumë më e dhimbshme për ta, sesa vetë ndëshkimi në Zjarr.
– “… dhe as nuk do t’i shfajësojë. I dhembshëm do të jetë dënimi i tyre.” – Domethënë, Allahu nuk do t’i pastrojë ata nga cilësitë e tyre të ulta, sepse nuk kanë bërë kurrë ndonjë vepër për të cilën mund të lëvdohen dhe mund të meritojnë kënaqësinë e Allahut të Lartësuar dhe shpërblimin e Tij. Allahu i Lartësuar nuk i pastron ata për të vetmen arsye: për shpërfilljen nga ana e tyre e Librit të Zotit, duke mos zbatuar dispozitat e Tij dhe duke mos i ftuar njerëzit që ta pasojnë dritën e sjellë nëpërmjet tij.