Select Page

Pasi foli për ndëshkimin e jobesimtarëve, Allahu i Lartësuar përshkruan shpërblimin e të devotshmëve, që ruajnë kufijtë e Tij, duke kryer detyrimet dhe duke iu larguar harameve, në shenjë dashurie, madhërimi dhe nënshtrimi ndaj Tij. Kështu, Allahu i Lartësuar vendos paralel kërcënimin dhe inkurajimin, shpresën dhe frikën, të domosdoshme këto për një rob adhurues.

– “Vërtet, të devotshmit do të jenë në kopshtet e Xhenetit dhe në begati …” – Të devotshëm janë ata që i druhen zemërimit dhe ndëshkimit të Zotit, duke kryer urdhëresat dhe duke iu larguar harameve, në shenjë adhurimi për Të dhe në kërkim të kënaqësisë së Tij. Këta fatlumë do të jenë në kopshte, që janë të mbuluar me pemë dhe bimë që dredhojnë sipër tyre. Nëpër këto kopshte të bukura rrjedhin lumenj dhe lartësohen kështjella të stolisura. Atje do të përjetojnë lumturinë, me të gjitha përmasat e saj, me zemër, shpirt dhe me trup.