Select Page

– “U dhamë edhe fakte të qarta për çështjet fetare.” – Zoti u dha bijve të Israilit fakte të qarta dhe të padiskutueshme, nëpërmjet të cilave ata mund të dallonin të vërtetën nga e kota dhe të gjenin rrugën e drejtë. Këto fakte u përforcuan më shumë me mrekulli të shumta, që Zoti ua shfaqi atyre në duart e Musait (a.s.).

Kështu, të gjitha këto mrekulli dhe argumente të qarta duhej t’i nxisin ata që të bashkoheshin rreth të vërtetës, për të zbatuar porositë e sjella nga profeti i Zotit. Por ata u sollën krejtësisht kundër asaj që pritej dhe që ishte detyrë për ta. Ata filluan të përçaheshin pikërisht rreth asaj të vërtete, siç thotë i Madhëruari:

– “Por edhe pasi iu dha dituria, ata u përçanë për shkak të zilisë që kishin ndërmjet tyre.” – Dija që iu dhurua atyre duhej t’i bënte që të mos kishin mospajtime, por padrejtësia kundrejt njëri-tjetrit i përçau keq e më keq.

– “Në Ditën e Kijametit, Zoti yt do të gjykojë mes tyre për çdo gjë që ata kundërshtoheshin.” – Allahu i Lavdëruar do ta qartësojë të vërtetën nga e kota dhe do t’i dallojë mbrojtësit e të vërtetës nga mbrojtësit e të kotës. Gjithashtu, Ai do të zbulojë edhe shkakun që i shtyu ata të përçaheshin, siç është ndjekja e epshit apo diçka tjetër.