Select Page

Por ti bëj durim ndaj çfarë thonë ata dhe kujto robin Tonë Daudin, të fuqishmin (në fé e në trup)! Bëj durim, ashtu sikurse bënë durim edhe profetët para teje! Dije se fjalët e tyre nuk e dëmtojnë aspak të vërtetën dhe as ty! Ata dëmtojnë veç vetveten. Pasi e urdhëroi Profetin e Tij që të bënte durim përballë keqtrajtimit nga populli i tij,

Allahu i Madhëruar e urdhëron që të jetë i durueshëm, nëpërmjet adhurimit të Allahut si një dhe i vetëm dhe të kujtojë gjendjen e adhuruesve të sinqertë të Zotit, siç thotë edhe në ajetin tjetër: “Prandaj, ti bëhu i durueshëm ndaj asaj që thonë ata, dhe lavdëroje dhe falenderoje Zotin tënd, para se të lindë dielli dhe para se të perëndojë, edhe në orët e natës dhe në skajet e ditës, që të mund të gjesh kënaqësi. Dhe mos ia ngul sytë bukurisë së kësaj jete me të cilën i bëmë të kënaqen disa prej tyre (jobesimtarë), për t’i sprovuar me të! Shpërbimi i Zotit tënd është më i mirë dhe është i përjetshëm. Urdhëroje familjen tënde që të falë namaz, dhe ji i qendrueshëm në këtë! Ne nuk kërkojmë prej teje ndonjë furnizim (as për ty, as për familjen tënde). Ne të furnizojmë ty (dhe ata). Përfundimi i mirë vjen nga devotshmëria. [Ta Ha 130 – 132].

Kjo do të thotë që adhurimet e shumta të ndihmojnë të jesh i durueshëm dhe të përballosh peshën e rëndë të përgjegjësive dhe sfidave. Ndër adhuruesit më të mëdhenj ishte edhe profeti Dauud (a.s), të cilin Allahu e përshkruan duke thënë: “… kujto robin Tonë, Davudin, të fuqishmin (në fé e në trup)!” Ai ishte shumë i fortë dhe i gjallë në adhurimet që i përkushtonte Allahut me trupin dhe zemrën e tij.

Ai gjithmonë kthehej tek Allahu (me pendim të sinqertë e bindje të plotë)” – Ai kthehej gjithmonë tek Zoti me pendim të sinqertë dhe të vërtetë. Për të gjitha çështjet e tij, ai i mbështetej Allahut, duke i kërkuar gjithmonë ndihmë. Ai i kthehej Zotit duke i shprehur dashurinë e madhe, adhurimet e sinqerta, frikën dhe respektin për Të, por edhe shpresën e madhe tek Ai. Gjithmonë e shihje të përulur kur i përgjërohej Zotit. Ai kthehej tek Zoti i vet sa herë që bënte ndonjë gabim, duke u larguar me nxitim prej gabimit.