– ”Përveç Allahut ju jeni duke adhuruar idhuj dhe trilloni gënjeshtra.” – Jeni ju që i gdhendni e krijoni ata idhuj me duart tuaja, u vendosni emra, i kurorëzoni si zota e hyjni, dhe pastaj trilloni urdhëresa për t’i adhururar ata.
– ”Nuk ka dyshim se ata që ju i adhuroni përveç Allahut, nuk kanë asgjë në dorë për furnizimin tuaj …” – Ata nuk zotërojnë asnjë lloj cilësie që t’ju bëjë që ti adhuroni e të meritojnë adhurimin tuaj. Ata: “…nuk kanë asgjë në dorë për furnizimin tuaj. “Me sa duket dikush mund të ketë thënë: Ne e dimë mirë se këta idhuj janë të mangët, të krijuar, që nuk kanë në dorë as dobi e as dëm; as jetë e as vdekje dhe as ringjallje.
Ne e dimë mirë dhe e kemi të qartë se askush me të tilla cilësi nuk meriton asnjë grimë madhërimi. Por ja që zemrat kanë nevojë që të kenë dhe të zgjedhin diçka për ta adhuruar e për ta lidhur zemrën me të, t’i luten për nevojat dhe të bashkëbisedojë me të, në rast nevoje e vështirësie. Atëherë, Allahu i Madhëruar u jep një porosi për t’i udhëzuar drejt, atje ku duhet të drejtohen për adhurime, i drejton atje ku adhurimi është i meritueshëm.
– ”… prandaj vetëm tek Allahu kërkojeni furnizimin …” – Dijeni se Allahu e meriton ta lidhni zemrën me Të dhe e lehtëson rizkun. Ai përcakton gjithçka në këtë gjithësi. Ai u përgjigjet lutjeve të atyre që i luten për fenë, besimin dhe për dynjanë e tyre.
– ”… vetëm Atë adhuroni …” – Vetëm Allahun adhurojeni si një dhe të vetëm, sepse Ai është i Vetmi i Plotë e Absolut, në cilësinë e të adhuruarit, se Ai ka në dorë të gjithë dobinë dhe dëmin. Vetëm në dorën e Tij është administrimi dhe rregullimi i çështjeve të krijesave.
– ”… dhe vetëm Atë falënderoni!” – Vetëm Atij i takon mirënjohja dhe lavdërimet si një dhe i vetmi, sepse të gjitha të mirat që u janë dhënë krijesave, janë prej Tij. Çdo ligësi e largim nga ato është largim prej Tij, ndërkohë që Allahu është mbrojtësi i tyre.
– ”Tek Ai do të ktheheni të gjithë.” – Atë ditë, Ai do t’ju shpërblejë sipas veprave tuaja. Ai do t’ju njoftojë si për atë që e keni nxjerrë haptazi dhe e shfaqët ashtu edhe për atë që e mbajtët fshehur në dynja. Ruajuni dhe kijeni frikë Zotin që, kur të dilni para Tij, të mos dilni të përlyer me idhujtarinë tuaj. Punoni e nxitoni të bëni ato punë e adhurime që ju afrojnë tek Ai dhe ju mbushin me shpërblime, që do t’ju vlejnë për ditën kur do të ktheheni tek Ai.