Pasi foli për ata që mohuan profetin e Tij, Muhamedin (a.s.), Allahu i Madhëruar tregon se edhe para tyre ka patur mohues të profetëve. Kështu, Ai rrëfen ngjarjen që i ndodhi Musait dhe mohuesve të tij.
Në këtë histori kujtohet dënimi që goditi jobesimtarët e asaj kohe, në mënyrë që ata të kohës së Muhamedit (a.s.) të nxirrnin mësim dhe të mos vazhdonin me refuzimin e Profetit dhe të Shpalljes. I Madhëruari thotë:
– “Përpara tyre, Ne sprovuam popullin e Faraonit dhe atyre u erdhi një i dërguar i zgjedhur.” – Kuptimi: Allahu i vuri në provë ata, duke u dërguar profetin Musa, të birin e Imranit, njërin nga më të nderuarit dhe më të zgjedhurit e profetëve të Tij, që ishte i shquar për fisnikëri të lartë.