– “Nëse Allahu të godet me ndonjë të keqe, askush veç Tij nuk mund ta largojë, e nëse Ai të dhuron ndonjë të mirë, pa dyshim që Ai është i Plotfuqishëm për gjithçka.” – Nëse Allahu e lejon të të prekë ndonjë e keqe, si: varfëri, sëmundje, ngushti, trishtim, dëshpërim, frikë etj., askush nuk mund ta largojë atë, veç Atij. Dhe anasjelltas, nëse Allahu të dhuron ndonjë të mirë, askush nuk mund të të privojë prej saj. Atëherë, duke qenë se Ai është i vetmi që ka në dorë të mirën dhe të keqen, Ai është i vetmi që meriton të besohet si Një i vetëm dhe të adhurohet me meritë.