– “Ne e bëmë Kur’anin të lehtë për t’u kujtuar, …” – Kuptimi: Ne e kemi lehtësuar të përfituarit nga Kur’ani famëlartë. Ne e kemi bërë të thjeshtë tekstin e tij për t’u mësuar dhe për t’u lexuar bukur. Gjithashtu, e kemi thjeshtësuar të kuptuarit dhe marrjen e diturisë prej tij. Kur’ani është fjala më e mirë në tekstin dhe termat e tij dhe fjala më e vërtetë në kuptimet që percjell. Ajo është fjala më e qartë dhe më lehtësisht e shpjegueshme dhe e kuptueshme.
Çdokush që i përkushtohet atij, Allahu i Lartësuar ia lehtëson arritjen e të gjitha synimeve që ka me atë libër. Nëpërmjet Kur’anit, njerëzit kuptojnë dhe kujtojnë hallallin dhe haramin, urdhrat dhe ndalesat, shpërblimin dhe ndëshkimin. Ai është një qortues i mirë dhe prej tij nxirren mësime të vyera në lidhje me besimin që duhet të ketë njeriu. Në të gjenden lajmet e vërteta për popujt që shkuan dhe për atë që do të ndodhë në përjetësi.
Allahu i Lartësuar e ka lehtësuar që të gjitha këto të arrihen prej Kur’anit. Dija e Kur’anit, duke filluar nga leximi, mësimi përmendësh dhe tefsiri i tij, është dija më e rëndësishme, dhe Zoti i Lartësuar e ka lehtësuar marrjen e saj. Kjo është dija e çmuar, të cilën, nëse dikush nis ta kërkojë, Allahu i Lartësuar e ndihmon dhe ia lehtëson atij.
Për këtë arsye, disa selefë e kanë shpjeguar ajetin në fjalë kështu: “Ne e kemi lehtësuar Kur’anin për t’u kujtuar, prandaj a ka ndonjë që e kërkon dijen prej tij, që të ndihmohet për ta arritur?” Kështu, Allahu i Lartësuar i fton adhuruesit e Tij që t’i përkushtohen këtij libri dhe të nxjerrin mësime prej tij kur thotë:
– “… po a ka ndonjë që merr mësim?”