Pasi foli për bamirësit ndaj prindërve, Allahu i Madhëruar përshkruan se si janë të padrejtët ndaj prindërve:
– “Dikush u thotë prindërve të vet: “Uf, ju të dy! …” – Këtë njeri prindërit e thërrasin të besojnë Allahun dhe Ditën e Kijametit. Ata e këshillojnë që t’i frikësohet llogarisë para Zotit në Ditën e Gjykimit. Këto këshilla të mrekullueshme janë kujdesi më i madh që prindërit mund t’u bëjnë fëmijëve të tyre. Nuk ka gjë më të rëndësishme sesa t’u mësosh fëmijëve rrugën e drejtë, për të arritur lumturinë në dynja dhe në ahiret.
Por ftesës së tyre për të arritur të mirën dhe për të shpëtuar nga e keqja në të dyja jetët, ky lloj fëmije i përgjigjet me mënyrën më të shëmtuar. Ai u thotë atyre “Uf, ju të dy!”. Pra: “Vdekshi ju, çfarë më thoni!” Pastaj tregon se e sheh si krejt të pamundur dhe të pavërtetë Ditën e Gjykimit:
– “A më premtoni se do të ringjallem, kur sa e sa breza kanë kaluar para meje?!” – Kuptimi: Vallë, a po më thoni se unë do të dal përsëri nga varri im Ditën e Gjykimit? Sa breza njerëzish kanë kaluar para meje dhe nuk e besonin ringjalljen, që thoni ju! Madje, edhe ata që kanë qenë udhëheqës e pasanikë, e kanë mohuar ringjalljen dhe llogarinë para Zotit. Këtë të mjerë, që mbajnë si model të tyre armiqtë e të vërtetës, injorantët dhe të degjeneruarit, janë të dashuruar pas kësaj dynjaje dhe bukurive të saj:
– “Ata të dy e lusin Allahun që ta udhëzojë (dhe e porosisin): …” – Ndërsa prindërit e tij duan ta ndihmojnë, prandaj i thonë: “I mjeri t’i, beso!” Ata bëjnë çdo gjë që ai të udhëzohet në rrugën e drejtë. Nga dashuria dhe meraku i madh që kanë për fëmijën e tyre, ata i ankohen e përgjërohen Allahut të Madhëruar, ashtu si vepron njeriu që është duke u mbytur, kur thërret për ndihmë, që ta shpëtojnë.
Ata i drejtohen Allahut me lutje e lot, duke shprehur dobësinë dhe përunjësinë e tyre, që fëmija i tyre të udhëzohet. Plot dashuri, butësi dhe mëshirë, ata përpiqen që t’ia sqarojnë fëmijës të vërtetën e besimit:
– “I mjeri ti, beso, se premtimi i Allahut është i vërtetë!” – Premtimi i Allahut është i vërtetë dhe për të nuk duhet të kesh asnjë dyshim! Pastaj, me dëshirën e madhe e të çiltër që ai të udhëzohet, përpiqen t’i sjellin sa më shumë argumente dhe fakte. Por ky fëmijë jobesimtar e shton edhe më shumë mohimin dhe mendjemadhësinë, duke thënë:
– “Por ai thotë: “Këto nuk janë gjë tjetër, por veçse përralla të popujve të hershëm!”” – Kuptimi: Këto janë thjesht rrëfenja të marra nga librat e gojëdhënat e të parëve, e nuk janë mesazhe të Zotit. Por të gjithë e dinë dhe e pranojnë se Muhamedi (a.s.) ishte analfabet. Ai nuk dinte as shkrim, as lexim! Atëherë, nga mund t’i merrte ai këto lajme? Pastaj, krijesat nuk mund të sjellin kurrë një libër hyjnor si Kur’ani, edhe sikur të ndihmojnë dhe të mbështesin të gjithë njëri-tjetrin.