– “Dhe ti e shihje diellin. Kur agonte, anonte prej shpellës së tyre nga ana e djathtë, e kur perëndonte largohej nga ana e majtë e tyre dhe ata ishin në një vend të gjerë në mes të saj. Kjo është një nga shenjat e Allahut.” – Zoti i ruajti nga rrezet e diellit dhe u kujdes që të mos dëmtoheshin në trup e shëndet. Ata qëndronin në një hapësirë të gjerë të shpellës, në mënyrë që të ajroseshin dhe të mos dëmtoheshin nga qëndrimi i gjatë në vend të mbyllur dhe të ngushtë.
Sigurisht, kjo është një ndër shenjat madhështore të Allahut, që tregojnë për pushtetin absolut dhe për mëshirën e gjerë e të pakufishme të Tij për ata besimtarë. Kjo tregon se Allahu iu përgjigj lutjes dhe u kujdes për besimin dhe për gjendjen e tyre, deri edhe në këto detaje. Dihet se çështja më e rëndësishme e përkujdesit ndaj tyre ishte udhëzimi në rrugën e drejtë dhe në besimin e pastër, prandaj Allahu thotë:
– “Atë që e udhëzon Allahu, ai është i udhëzuar …” – Nuk ka asnjë rrugë tjetër për arritjen e udhëzimit, përveçse prej Zotit. Ai është i Vetmi që udhëzon në rrugën e drejtë dhe e drejton robin drejt mirësive në të dyja jetët.
– “… dhe atë që Ai e lë në humbje, ti nuk do të gjesh për të asnjë Mbështetës që do ta çonte në Rrugën e Drejtë.” – Ata nuk kanë asnjë mbështetës për të rregulluar punët e tyre. Nuk ka kush që mund t’i drejtojë ata në ato veprime që mund të përmirësojnë gjendjen e tyre. E kush mund t’i shpëtojë ata që Allahu i ka gjykuar të mbeten në humbje? Askush nuk mund ta thyejë gjykimin dhe vendimin e Zotit.