Select Page

Pasi përmendi krijimin e llojit njerëzor, Allahu i Madhëruar flet për vendin ku njeriu do të kalojë jetën e këtushme dhe mirësitë e shumta që i janë mundësuar në të. Ai thotë:

– “Dhe Ne kemi krijuar shtatë palë (qiej) mbi ju …” – I ka bërë si tavan mbrojtës për njerëzit dhe të mbushur plot me dobi jetike për ta. Ata janë shtatë qiej, që Zoti i ka vendosur njëri sipër tjetrit, me kate. Allahu i Madhëruar e ka zbukuruar qiellin me yje dhe ka vendosur në të Diellin dhe Hënën. Ai ka bërë që ky qiell të jetë i mbushur plot mirësi të domosdoshme për jetën e krijesave. I Gjithëmëshirshmi thotë:

– “… dhe Ne nuk jemi të pakujdesshëm ndaj asaj që krijuam.” – Asgjë nuk del jashtë krijimit të Zotit. Çdo gjë është krijim i Tij. Po kështu, asgjë nuk mund të dalë jashtë përkujdesit të Tij. Kurrë nuk mund të ndodhë që Zoti të jetë i shkujdesur për krijesat dhe as nuk mund të ndodhë që të harrojë ndonjë gjë të tyre. Nuk mund të ndodhë që Zoti të krijojë diçka dhe ta lërë në harresë atë. E si mund të jetë Zoti i shkujdesur ndaj qiejve e Tokës?! Nëse do të ndodhte kjo, ata do të rrëzoheshin e shkatërrroheshin.

Zoti është i Gjithëpushtetshmi dhe i Gjithëdituri, që kujdeset edhe për thërrmijën më të thellë në oqean dhe për grimcën më të fshehtë mes maleve e humnerave. Për çdo gjallesë, është Zoti Ai që ia lehtëson dhe ia jep rrizkun. Siç thotë i Madhëruari: “Nuk ka asnjë gjallesë në Tokë që të mos ushqehet nga Allahu. Ai e di vendbanimin dhe vendprehjen e tyre. Gjithçka gjendet në një Libër të qartë (Leuhi Mahfudh).” [Hud 6].

Në shumë ajete, Allahu i Madhëruar përmend së bashku krijimin dhe diturinë e Tij absolute, siç për shembull: “I fshihni ose i thoni fjalët tuaja haptas, nuk ka dyshim se Ai e di çfarë fshihni në zemrat tuaja. A nuk e di Ai që ka krijuar, kur Ai di në imtësi çdo sekret.” [Mulk 13, 14]. Ose: “A nuk është i fuqishëm Ai, që krijoi qiejt e tokën, që t’i rikrijojë ata (njerëzit)? Po, Ai është Krijuesi dhe i Gjithëdituri.” [Ja sin 81]. Kjo bëhet për të treguar se krijimi i Zotit dhe çdo krijesë e Tij, është nga argumentet logjike më të forta dhe të qarta, që tregojnë për diturinë dhe urtësinë e Krijuesit të tyre.