– “Ata që i largohen (tagutit) adhurimit të idhujve …“ – Fjala tagut në këtë kontekst nëkupton adhurimin e çdo gjëje tjetër veç Allahut. Kështu, të zgjedhurit i largohen adhurimit të çdo gjëje tjetër veç Allahut. Ky është sqarim i detajuar nga Allahu, që është i Urtë dhe i Gjithëditur, për të na treguar se lëvdata shkon veçse për ata të cilët i largohen idhujtarisë dhe adhurimit të çdo gjëje veç Allahut.
– “…. dhe kthehen të penduar (e të bindur) tek Allahu …“ – Ata kthehen tek Zoti me adhurime të sinqerta, duke iu dedikuar tërësisht me zbatimin e fesë me sinqeritet vetëm për Të. Të gjitha forcat e tyre drejtohen dhe përqëndrohen në adhurimin e Allahut, Mbretit të Gjithëditur, si Një dhe i Vetëm. Ata largohen nga shirku, gjynahet dhe mosbindja ndaj Zotit. Për këta, Allahu i Madhëruar thotë:
– “… do të kenë një gëzim të madh.“ – Askush nuk mund ta përshkruajë apo të dijë madhështinë e këtij përgëzimi dhe çfarë ai përmban, veçse Ai që i nderon me të. Ajeti përfshin të gjitha llojet e përgëzimit, qoftë në dynja qoftë në ahiret. Në këtë jetë, e mira vjen nëpërmjet emrit dhe famës së mirë ndër njerëz, nëpërmjet ëndrrave të mira që ata shohin për veten ose që të tjerët i shohin për ta, nëpërmjet kujdesit të veçantë që Allahu i Madhëruar tregon për ta, kujdes që gjithmonë i ndjek pas dhe i shoqëron ata vazhdimisht.
Falë këtij kujdesi, ata e ndiejnë dhe e shohin se Ai dëshiron t’i ndihmojë e t’ua lehtësojë çdo çështje në dynja dhe në ahiret. Në jetën tjetër, atyre u vjen lajmi i mirë që në momentin e vdekjes, pastaj në varr, pastaj në Ditën e Ringjalljes. Përgëzimi më i madh dhe përmbyllës do t’u vijë në momentin kur Zoti Bujar dhe Mëshirëplotë do t’i njoftojë se është i kënaqur prej tyre dhe se kurrë nuk do të zemërohet me ta, por gjithmonë do t’i mbulojë me mirësitë e Tij dhe ata do të jenë përgjithmonë në Xhenet, të sigurt dhe në paqe. Më pas, Allahu i Madhëruar e urdhëron Profetin që t’i përgëzojë duke përmendur edhe ato vepra të tyre, për të cilat e meritojnë përgëzimin:
– “Përgëzoji, atëherë, robërit e Mi!“ – Përgëzoji adhuruesit e Zotit që kanë këto cilësi: