– “Ata i përngjajnë dikujt që kërkon t’i ndizet një zjarr.” – Shembulli më i përshtatshëm që mund të jepet për gjendjen e tyre është ai i një personi që kërkon prej të tjerëve t’i ndezin një zjarr. Përfytyro një njeri që ka nevojë të madhe për të ndezur një zjarr, në errësirën e thellë në të cilën ndodhet, dhe këtë zjarr e kërkon nga dikush tjetër. E kërkon nga dikush tjetër, sepse ai vetë nuk ka lëndë për ta ndezur. Krijimi i këtij zjarri ndriçues është jashtë natyrës, zakonit dhe mundësive të tij.
– “Por, sapo ai e ndriçon vendin përreth …” – Për një moment, ai ndriçohet prej këtij zjarri, i cili i bën dritë gjithçkaje përreth tij. Kështu, atij i jepet mundësia të vështrojë qartë vendin ku ndodhet. Ky zjarr i ofron atij njëfarë qetësie prej çdo frike dhe ankthi që e rrethon. Duke përfituar prej tij, njeriu gjen një lloj prehjeje. Por pikërisht në atë moment, kur mendon se këtë zjarr e ka bërë pronë të tijën, nga e cila mund të përfitojë si të dojë:
– “Allahu ua shuan dritën, dhe i lë mes errësirash, kështu që ata nuk mund të shohin.” – Pra, Allahu i Madhëruar e largon ndriçimin që jep ky zjarr, e bashkë me ndriçimin, edhe gëzimin e shkurtër që një njeri i tillë përjeton. Ai mbetet i vetmuar në errësirën e madhe të zjarrit që djeg, pasi prej këtij zjarri largohet ndriçimi, por mbetet nxehtësia dhe aftësia djegëse. Atëherë, ai përhumbet e endet mes errësirave të pafund. Mbi të ngrihet e frikshme errësira e natës, errësira që krijojnë retë, errësira që krijon shiu dhe errësira e dëshpërimit, që vjen pas largimit të beftë të dritës.
A mund ta përfytyrosh gjendjen e këtij të mjeri?! E tillë është shëmbëlltyra e munafikëve. Ata kërkojnë prej muslimanëve zjarrin ndriçues të imanit, sepse për ta imani është një cilësi e huaj. Ata përfitojnë diçka nga ky zjarr, ndonëse është i ndezur nga tjetërkush. Me anë të këtij zjarri, ata sigurojnë paprekshmërinë e jetës e të pasurisë së tyre mes besimtarëve. Ky zjarr u jep njëfarë qetësie në jetën e dynjasë. Por pikërisht kur ata janë duke shijuar frytet dhe të mirat e mundit të tjetërkujt, ata i kap befas vdekja, e cila ua ndërpret atë përfitim të vagët prej dritës së besimtarëve.
Pas takimit me vdekjen, ata i kaplon tërësisht ankthi, trishtimi dhe ndëshkimi i dhimbshëm. E kështu, ata do të provojnë tmerrin dhe shijen e hidhur të mohimit, të hipokrizisë dhe të çdo lloj poshtërsie tjetër, fillimisht në errësirën e varrit, dhe pastaj në errësirën e zjarrit të Xhehenemit, që do të jetë “vendprehja” e tyre e përjetshme. Vëre me kujdes se si i përshkruan ata Allahu i Lartësuar, kur thotë se ata janë: