– ”Përpara tyre është Xhehenemi, në të cilin u jepet për të pirë ujë i valë i qelbët. Ata do ta gjerbojnë atë, po nuk do të mund ta gëlltisin.” – Këtyre kryeneçë arrogantë dhe inaçorë, Xhehenemi u qëndron në pritë. Do të vijë një ditë që ata do ta shohin ndëshkimin, i cili është i papërshkrueshëm dhe i ashpër. Atë ditë do t’u jepet për të pirë qelb, me atë ngjyrë, shije dhe erë. Ky lëng do të jetë jashtëzakonisht i nxehtë.
Nga etja e madhe, ata do të përpiqen ta gëlltisin, por me zor e bëjnë diçka të tillë, sepse sa herë që afrohen për të pirë, u digjen dhe përvëlohen fytyrat, nga nxehtësia e madhe. Kur ky lëng kalon në barkun e tyre, ua këput dhe copëton zorrët. Allahu i Lartësuar thotë: “Ata do ta gjerbojë atë, po nuk do të mund ta gëlltisin”.
– ”Vdekja u vjen nga të gjitha anët, po nuk vdesin.” – Atyre u vjen ndëshkimi i ashpër me të gjitha llojet e tij. Ky ndëshkim është aq i ashpër, saqë arrin deri në prag të vdekjes, por Allahu i Lartësuar ka vendosur që ata të mos vdesin më. Allahu i Lartësuar thotë në një ajet tjetër: “Ata as nuk gjykohen që të vdesin, as nuk u lehtësohet ndëshkimi.” [Fatir 36]. Sa herë që përfundon një ndëshkim, ata i pret një ndëshkim tjetër i rëndë, sikurse thotë Allahu i Lartësuar:
– ”Ata i pret një dënim shumë i rëndë.” -Kështu do të ndëshkohet çdo kryeneç dhe armik i të vërtetës dhe i pasuesve të saj. Ndëshkimi i tyre është i fortë dhe i ashpër, aq sa askush nuk mund ta përshkruajë ashpërsinë e Tij, përveç Allahut të Lartësuar.