– “Por të këqijtë nga mesi i tyre e ndryshuan fjalën që u ishte dhënë me një tjetër fjalë; prandaj …” – Ata nuk iu bindën Allahut të Lartësuar, por e thyen dhe e përçmuan urdhrin e Tij. Ata e zëvendësuan fjalën që iu kërkua me një fjalë tjetër. Në vend të “hitta“, ata thanë: “hinta“, që do të thotë ‘kokërr gruri’. Edhe atë fjalë, që ishte aq e thjeshtë për t’u thënë, ata e zëvendësuan me tjetër fjalë, nga ligësia që kishin në zemër.
Atëherë, mendo pak se si do të reagonin ata ndaj urdhrit tjetër, që mbase ishte pak më i vështirë: të hynin të përulur në portat e qytetit! Sigurisht, që edhe këtë nuk do ta zbatonin. Ndaj, kur u afruan në portat e qytetit, ata u futën duke tërhequr zvarrë të prapmet e tyre. Ky qe një akt i shëmtuar kundërshtimi dhe padrejtësie, prandaj Allahu i Lartësuar thotë:
– “… Ne zbritëm kundër tyre një dënim të madh nga qielli për padrejtësitë e tyre.” – Ngaqë kundërshtuan urdhrin e Tij, Allahu i Lartësuar lëshoi mbi ta ndëshkim prej qiellit, që mund të ketë qenë sëmundje ose diçka tjetër. Allahu i Lartësuar nuk u bëri asnjë padrejtësi atyre me këtë ndëshkim, por ata i bënë padrejtësi vetes. Ky qe rezultat i veprave që bënë me duart e tyre, pa i detyruar kush dhe pa patur asnjë arsye. I vetmi shkak ishte poshtërsia, që u kishte mbushur shpirtrat.