Select Page

– “Thuaj: “Mua nuk më takon që ta ndryshoj atë nga mendja ime. Unë pasoj veçse atë që më shpallet. ” –  Nuk ka mundësi as të mendohet dhe është e patolerueshme për mua si Profet, që ta tjetërsoj nga vetja ime Shpalljen e Zotit. Unë jam thjesht një i dërguar, që transmetoj me besnikëri mesazhin e Zotit. Unë nuk kam në dorë asnjë çështje. Unë thjesht pasoj atë që më shpallet nga Zoti im. Unë nuk kam asnjë të drejtë tjetër veçse përcjelljes me saktësi e besnikëri të Shpalljes së Zotit tim. Unë jam veçse një rob i urdhëruar dhe i nënshtruar ndaj Zotit tim.

– “Unë i frikësohem dënimit të një Dite të madhe nëse kundërshtoj Zotin tim. ” – Këto janë fjalët e më të mirit të krijesave dhe edukata e tij në lidhje me urdhëresat e Zotit dhe Shpalljen e Tij. Atëherë, çfarë mendon se do të bëhet me ata mendjelehtë të humbur e të mbushur me injorancë e padrejtësi, me kokëfortësi e arrogancë, mosrespekt e paturpësi, në lidhje me Zotin e gjithësisë?! A nuk i frikësohen ata ndëshkimit të Ditës së madhe?

– Thuaj: “Sikur të kishte dashur Allahu, unë nuk do t’ua kisha lexuar juve atë (Kur’anin), e as nuk do të kishit mësuar gjë për të. ” –  Nëse pretendojnë se, me këtë kërkesë, ata synojnë dhe dëshirojnë që t’u qartësohet e vërteta, ata janë mashtrues dhe trillues të paskrupullt, sepse shenjat dhe Shpallja e Allahut janë të mjaftueshme për të kuptuar dhe gjetur të vërtetën.

Shenjat dhe mrekullitë që Zoti u dhuroi profetëve janë mëse të mjaftueshme për të kuptuar dhe gjetur të vërtetën. Shenjat dhe mrekullitë që Zoti u dhuroi profetëve janë mëse të mjaftueshme që njerëzit të besojnë se ata flasin në emër të Zotit dhe ndihmohen prej Tij. Është Allahu i Madhërueshëm që i mbështet profetët e Tij me shenja dhe mrekulli, ashtu sikurse Ai dëshiron me urtësinë hyjnore dhe mëshirën e Tij për robërit.

– “Unë kam jetuar një periudhë (të gjatë) në mesin tuaj para tij. ” – Për një kohë të gjatë, para se t’jua lexoja këtë Kur’an dhe para se ju të dinit për të, unë kam jetuar mes jush dhe nuk kam pasur asnjë njohuri rreth shpalljeve të Zotit, apo të më ketë shkuar ndërmend që t’ju flas për to. Nëse asnjëherë nuk ju kam folur për shpalljet e Zotit gjatë gjithë jetës sime mes jush, si është e mundur që t’ju flas dhe kumtoj ato tani?!

Unë kam jetuar një kohë të gjatë mes jush dhe ju më njihni mirë se kush jam unë. Tek ju unë njihem si umij – që nuk di shkrim e lexim, unë nuk kam studjuar dhe mësuar prej askujt asgjë. Atëherë si mund t’ju sjell juve një libër të tillë madhështor dhe të jashtëzakonshëm, që i ka bërë të gjithë oratorët dhe të mëdhenjtë e artit të fjalës të habitur dhe të pafuqishëm përballë bukurisë dhe hijeshisë së tij?! Dijetarët më të mëdhenj mrekullohen me diturinë e madhe që gjendet brenda tij.

– “A nuk mendoni?”   Mendohuni pak! A mundet që ky libër të vijë nga mendja dhe trilli i vetes time?! A nuk është ky arsyetim një tregues i prerë se ky libër është Shpallje e Atij që është i Urtë dhe Hamid – i Lavdëruar? Nëse do të vinit në përdorim arsyen dhe logjikën tuaj dhe të meditonit pak rreth gjendjes time, nga njëra anë, dhe madhështisë së këtij Libri, nga ana tjetër, do të arrinit në një siguri të plotë që nuk pranon asnjë dyshim, se ai është vërtetë Shpallje e Zotit të Gjithëmëshirshëm dhe do të kuptonit se ai është e vërteta e vetme dhe se gjithçka tjetër është devijim e kotësi. Por nëse me këmbëngulje e kokëfortësi, ju veç refuzoni dhe mohoni, atëherë ju jeni veçse zullumqarë, që me vetëdije nuk doni t’i nënshtroheni Zotit të botëve.