– “Të tillë janë ata që thonë: “O Zoti ynë! Ne kemi besuar me sinqeritet. Na i fal gjynahet tona dhe na ruaj prej ndëshkimit të Zjarrit!” – Një cilësi e tyre është edhe fakti që ata afrohen tek Allahu i Lartësuar dhe ndërmjetësojnë tek Ai me besimin e tyre, që Ai t’i falë dhe të mbulojë të metat e tyre. Ata thonë: “O Zoti ynë! Ne kemi besuar me sinqeritet, prandaj, për hir të këtij besimi, na i fal gjynahet tona dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit!”. Është pikërisht Allahu i Lartësuar që u ka dhënë sukses dhe që i ka udhëzuar, dhe po nga Ai ata kërkojnë që, ashtu sikurse i ka udhëzuar në besim, t’ua mbulojë të metat, t’ua falë gabimet dhe t’i ruajë nga dënimi i Zjarrit. Pastaj Allahu i Lartësuar tregon disa cilësi të tjera të të devotshmëve: