– “Prandaj Ne lëshuam kundër tyre një Erë të furishme për disa ditë shkatërruese, …” – Ajo ishte një stuhi e furishme, aq sa prej saj krijohej një ushtimë shumë e frikshme, si një bubullimë. Allahu i Lartësuar ua vazhdoi atë furtunë për shtatë net e tetë ditë rresht, sikurse thotë në suren Hakka 6, 7: “Ndërsa Adi u shkatërrua me një stuhi të fuqishme e të zhurmshme, që Ai e lëshoi kundër tyre shtatë net e tetë ditë rresht.
Sikur t’i shihje njerëzit që shembeshin përdhe, si të ishin trungje hurmash të zgavruara.” Kështu i shkatërroi i Madhërishmi ata. Pas kësaj gjëme, mbetën veçse rrënojat e vendbanimit të tyre. Pastaj i Lartësuari thotë:
– “… për t’i bërë ata ta ndienin shijen e dënimit poshtërues që në jetën e kësaj bote; por në botën tjetër Dënimi do të jetë edhe më poshtërues dhe ata nuk do të gjejnë asnjë ndihmë.” – Allahu u dha atë ndëshkim, që t’i turpëronte para krijesave që në jetën e kësaj dynjaje, ku ata krenoheshin me forcën e tyre. Ndërsa ndëshkimi i ahiretit do të jetë edhe më poshtërues. Atje ata nuk do të kenë mundësinë të mbrohen dhe as të shpëtojnë.