Pasi rrëfeu historinë e Zekerias dhe të Jahjas, që ishin disa nga shenjat madhështore dhe më të habitshme, Allahu i Madhëruar tregon një histori tjetër edhe më të habitshme:
– “Përmendju në këtë Libër (tregimin për) Merjemen kur ajo u largua prej familjes së saj në një vend në Lindje!” – Kujtoju me këtë libër të nderuar historinë e Merjemes (paqja e Zotit qoftë mbi të!). Përmendja e saj në Kur’an është vlerësimi më i madh për Merjemen. Kjo grua e lavdëruar do të kujtohet në këtë Libër përjetë.
Muslimanët do ta lexojnë historinë e saj në lindje dhe në perëndim të botës. Ajo do të kujtohet me cilësitë e saj më të mira dhe më të lëvdueshme. Kjo është vetëm një pjesë e shpërblimit të punëve të saj të mira. Kështu, Merjemja u largua nga familja e saj, në drejtim të lindjes.