Select Page

Përderisa jeni distancuar prej tyre dhe prej asaj që ata adhurojnë përveç Allahut, atëherë strehohuni në shpellë!” – Ata i thanë njëri-tjetrit: tashmë jemi larguar nga populli ynë dhe nga adhurimet e kota. Tani duhet të marrim masat për t’u ruajtur nga sherri i tyre, sepse nuk kemi mundësi për t’i luftuar ata apo për të jetuar mes tyre duke praktikuar lirisht fenë dhe besimin tonë. Atëherë, le të strehohemi në shpellë!

– “Zoti juaj do t’ju dhurojë nga mëshira e Tij e gjerë dhe do t’jua lehtësojë çështjen tuaj dhe çdo gjë që është në dobinë tuaj.” – Dhe pikërisht për këtë u lutën më herët, kur thanë:“O Zoti ynë! Na dhuro mëshirë nga ana Jote dhe na përgatit udhëzim të drejtë në tërë çështjen tonë!” Ata iu përgjëruan Zotit, duke treguar pafuqinë dhe dobësinë e tyre nga njëra anë dhe duke iu lutur Zotit që ta rregullojë gjendjen e tyre, nga ana tjetër.

Ajo që ishte shumë e rëndësishme në gjithë këtë ngjarje, ishte siguria dhe bindja e plotë se Allahu do t’i ndihmonte dhe do t’ua jepte atë që kërkonin. Nuk ka dyshim se Allahu i mbuloi me mëshirën e Tij dhe ua lehtësoi çështjen. Ai ua ruajti fenë dhe shëndetin dhe i bëri simbol e model për të gjitha krijesat e Tij. Allahu bëri që ata të kujtohen gjithmonë për mirë, dhe kjo ishte nga mëshira e Tij për ta. Ai ua lehtësoi mënyrat për ruajtjen e besimit dhe jetës së tyre. Madje, edhe vendi ku do të flinin ishte jashtëzakonisht i ruajtur dhe i sigurt.