Select Page

– “Ne u dhamë bijve të Israilit Librin, gjykimin me drejtësi dhe profetësinë.” – Zoti u dhuroi bijve të Israilit mirësi e begati, që nuk i ishin dhënë asnjë populli më parë. Ai u dha Librin, domethënë Teuratin dhe Ungjillin, u dha pushtetin për të gjykuar njerëzit, si dhe profetësinë, me të cilën ata u dalluan nga popujt e tjerë. Madje, në atë kohë, profetësia ishte e kufizuar pikërisht te pasardhësit e Ibrahimit (a.s.). Gjithashtu, ndër mirësitë me të cilat u dalluan ata ishin edhe furnizimet e veçanta me ushqime, pije, veshje etj., siç qe për shembull zbritja e el menn-it dhe el selua-s nga qielli, gjatë udhëtimit të tyre dyzetvjeçar në shkretëtirë.

– “Ne i furnizuam ata me të mira, duke i dalluar mbi të gjithë njerëzit (e asaj kohe).” – Me mirësitë e dhuruara, Ata u dalluan mbi të gjithë botën. Por, sigurisht, nga ky përgjithësim përjashtohet ymeti i fundit, ai i Muhamedit (a.s), që është ymeti më i mirë i të gjitha kohërave. Vetë konteksti i ajeteve tregon se aty nuk përfshihet ymeti i Muhamedit (a.s). Ato flasin për mirësitë që Zoti u dhuroi bijve të Israilit, duke i dalluar mbi popujt e tjerë. Por me shfaqjen e Muhamedit, pasuesit e këtij të fundit u bënë populli më i mirë i nxjerrë ndonjëherë për të mirën e njerëzimit.

Gjithashtu, mirësitë që iu dhuruan bijve të Israilit, si Libri hyjnor, pushteti për të gjykuar, profetësia dhe të gjitha mirësitë e tjera, i Lartësuari ia dha edhe ymetit të fundit, por duke u shtuar edhe mirësi të tjera, që nuk i kishin të tjerët. Sheriati i mrekullueshëm që iu dhurua këtij ymeti, është universal, ndërsa sheriatet e popujve të shkuar kanë qenë thjesht një pjesë e tij. Kur’ani, gjithashtu, është siguruesi i vërtetësisë së shpalljeve të mëparshme. Ndërsa Muhamedi (s.a.u.s) ishte vërtetuesi e përforcuesi i të gjithë profetëve të kaluar.