Pasi Allahu i Lartësuar foli për gjendjen në ahiret të besimtarëve e besimtareve, munafikëve dhe munafikeve, kjo duhet t’i bënte zemrat të frikësoheshin dhe të pendoheshin para Zoti të tyre, të nënshtroheshin para madhështisë së Tij. Atëherë, Allahu i Lartësuar i qorton besimtarët, të cilët ende nuk e ndiejnë këtë ndryshim në veten e tyre:
– “A nuk është koha për besimtarët, që zemrat e tyre të zbuten me kujtimin e Allahut e me të Vërtetën që u zbriti …” – A nuk ka ardhur koha që zemrat e besimtarëve të frikësohen e të zbuten nga kujtimi i Allahut, pra, nga ajetet Kur’anore?! A nuk ka ardhur koha që ata të nënshtrohen në zbatimin e urdhrave, në largimin nga haramet dhe të nxjerrin mësim nga e vërteta që iu shpall Muhamedit (a.s.).
Kjo është nxitje për të kultivuar frikën dhe përunjësinë e zemrës ndaj Allahut të Lartësuar dhe Shpalljes së Tij. Besimtarët duhet të kujtojnë këshillat hyjnore dhe të përkushtohen në zbatimin e fesë së Zotit në çdo kohë dhe në çdo gjendje të tyre. Ata duhet të llogarisin veten, para se të vijë çasti kur pendimi nuk do të pranohet më.
– “… dhe të mos bëhen si ata të cilëve iu dha libri më parë e pasi kaloi një kohë e gjatë, zemrat e tyre u ngurtësuan e shumë prej tyre janë jashtë rrugës?” – Të mos bëhen si ata të cilëve Zoti u shpalli libër, që duhej të fuste drojë në zemrat e tyre dhe t’u bindeshin urdhrave të Tij, por ata nuk u treguan të qëndrueshëm në këtë rrugë.
Përkundrazi, pasi kaloi një kohë e gjatë, ata u harruan në kotësira, derisa imani i tyre u zbeh, ndërsa siguria në fe iu zhduk. I Madhëruari thotë që “zemrat e tyre u ngurtësuan”. Zemrat kanë nevojë të vazhdueshme që të kujtojnë Shpalljen e Zotit dhe të dëgjojnë urtësitë e Tij. Njeriu nuk duhet të tregohet i pakujdesshëm, sepse kjo bëhet shkak për ngurtësimin e zemrës dhe për largimin e lotëve, që rrjedhin nga frika e Zotit.