– “Dhe që të mos thoni: “Sikur Libri të na kishte zbritur neve, do ta kishim ndjekur udhëzimin e tij edhe më mirë se ata.” – Nëpërmjet Kur’anit, juve ju është mundësuar që të merrni bazat kryesore të udhëzimit, duke mos pasur më justifikim për padijen rreth besimit. Kjo nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër, nëpërmjet këtij Libri juve ju mundësohet që të përfitoni udhëzimin e nevojshëm për ta plotësuar tërësisht imanin tuaj.
Në këtë mënyrë, do të duket qartë ai që e pranon udhëzimin e Zotit nga ai që thjesht pretendon se po të kishte Libër prej Zotit do të ishte në grada më të larta dhe më i udhëzuar se të tjerët. Pas shpalljes së Kur’anit, do të dallohen qartë të sinqertët nga gënjeshtarët, burrat nga shtiracakët.
– “Tani që ju erdhi nga Zoti juaj një argument i qartë dhe një udhëzim e mëshirë, …” – Shpallja e Allahut përmban çdo fakt dhe argument të mundshëm për të qartësuar të vërtetën. Ai është udhëzim i qartë, që dallon të vërtetën nga gënjeshtra. Ai është mëshira e dhuruar nga i Gjithëmëshirshmi, që ju mundëson dhe ofron lumturinë në dynja dhe në ahiret.
Këto cilësi të Kur’anit duhet t’ju bëjnë që të nënshtroheni e t’i zbatoni me korrektësi dhe sinqeritet të gjitha porositë dhe dispozitat e tij dhe të besoni pa asnjë dyshim çdo rrëfim e informacion të sjellë prej tij. Ai që nuk arrin të gjejë udhëzimin përmes këtij Libri, ai është zullumqari më i madh:
– “… kush është më keqbërës se ai që i mohon argumentet e Allahut dhe ua kthen shpinën atyre?” – Të tillët nuk e trajtojnë Shpalljen me madhështinë dhe rëndësinë që i takon, por e shpërfillin dhe e flakin pas shpine, duke mos i kushtuar as interesin minimal. Për këtë arsye, ndëshkimi i tyre është mëse i merituar, siç thotë i Madhëruari:
– “Ne do t’i godasim me ndëshkimin më të rëndë ata, që ua kthejnë shpinën Argumenteve Tona dhe që pengojnë (njerëzit) nga rruga e drejtë.” – Kuptimi: Ata do të marrin një ndëshkim torturues, për shkak të shpërfilljes dhe refuzimit të argumenteve të Allahut, duke penguar veten e tyre dhe të tjerët nga rruga e drejtë. Ky është shpërblimi i punëve të tyre të këqija, sepse Allahu nuk u bën kurrë padrejtësi robërve të Tij. Nga këto ajete kuptojmë se dituria e Kur’anit është dituria më e gjërë, më e begatshme dhe më e rëndësishme.
Nëpërmjet saj bëhet i mundur udhëzimi në rugën e drejtë, pa patur nevojë për idetë e filozofëve, supozimet e skolastikëve dhe për asnjë njohuri tjetër prej të parëve dhe të fundmëve. I njohur është fakti se përpara Kur’anit, Libër hyjnor u është shpallur veçse dy bashkësive, e konkretisht, jehudëve dhe krishterëve. Pra, kur thuhet ‘ithtarë të Librit’ nënkuptohen veçse këto dy bashkësi dhe asnjë tjetër, si zoroastrianë e të tjerë të ngjashëm.
Nga këto ajete kuptojmë se para shpalljes së Kur’anit, populli i Muhamedit (a.s)ishte në një injorancë të plotë. Ata nuk kishin asnjë dituri rreth librave të Zotit që ndodheshin në duart e jehudëve dhe krishterëve, të cilët, edhe pse kishin në duart e tyre lëndën e diturisë, ishin të pakujdesshëm dhe të pavëmendshëm në studimin dhe përfitimin prej tyre.