Select Page

– “Pastaj, pas atij dëshpërimi, Ai zbriti si qetësim mbi ju, një dremitje, e cila kaploi një grup prej jush.” – Pa dyshim, kjo ishte mëshirë e Allahut të Lartësuar për ata, një mirësi e madhe dhe përforcim për zemrat e tyre, sepse dremitja ua shtoi prehjen atyre. Kur njeriu është i frikësuar, atë nuk mund ta zërë gjumi, sepse zemra e tij është e mbushur me frikë, por kur i largohet frika nga zemra, atëherë i vjen gjumi dhe e qetëson. Njerëzit që Allahu i Lartësuar u bëri mirësi duke u sjellë gjumë çlodhës, ishin pikërisht adhuruesit e Tij të sinqertë, të cilët kishin si të vetmin shqetësim të ndihmonin fenë e Allahut të Lartësuar. Qëllimi i tyre i vetëm ishte kënaqësia e Allahut të Lartësuar dhe bindja ndaj Profetit të Tij. Ata ishin të shqetësuar për çështjen e muslimanëve në tërësi, prandaj nuk mund të qëndronin indiferentë.

– “Kurse një grup tjetër ishte i shqetësuar vetëm për veten. Ata menduan për Allahun diçka të padrejtë, ashtu si mendonin injorantët.” – Ndërsa grupi tjetër mendonte dhe shqetësohej veçse për vetveten. Shkak për këtë ishte ose hipokrizia, ose besimi i dobët i tyre, prandaj ata nuk i zuri ai gjumë i ëmbël dhe qetësues, sikurse ndodhi me grupin e parë. Ata menduan lloj-lloj gjërash për Allahun e Madhëruar dhe nxorën gjithfarë justifikimesh për veten e tyre.

– “Ata thoshin: “Ne nuk kemi në dorë asgjë nga kjo çështje.”” – Ky qe një lloj justifikimi për dobësinë dhe largimin e tyre nga lufta. Me fjalë të tjera, ata thanë: “Ne nuk mund të bëjmë gjë për të ndihmuar muslimanët të fitojnë.” Pra, në këtë mënyrë, ata thjesht treguan mendimin e tyre të keq për Allahun e Lartësuar, për fenë dhe Profetin e Tij. Ata menduan padrejtësisht se Allahu i Lartësuar nuk do ta ndihmonte çështjen e Profetit të Tij. Nën trysninë e frikës, ata menduan se kjo do të ishte goditja përfundimtare kundër fesë së Allahut. Në përgjigje të tyre, Allahu i Lartësuar thotë:

– “Thuaju: “Me të vërtetë, e tërë çështja i takon Allahut.”” – Pra, në dorë të Allahut janë të gjitha çështjet, pa përjashtim: çështjet e krijimit dhe përcaktimit të ekzistencës së gjërave, dhe çështjet e dispozitave dhe të ligjeve të Tij për njerëzit. Çdo gjë në këtë ekzistencë ndodh me përcaktimin  dhe urtësinë e Allahut. Në ligjet e Tij të padiskutueshme dhe të patjetërsueshme bën pjesë edhe ky ligj madhështor: Fitorja dhe përfundimi i mirë gjithmonë ka për të qenë në anën e të zgjedhurve dhe të të dashurve të Tij, në anën e të bindurve dhe adhuruesve të sinqertë, edhe nëse mund të goditen nga sprova të mëdha.

– “Ata fshehin në vetvete diçka që ty nuk ta shprehin.” – Kuptimi: Munafikët fshehin në zemrat e tyre diçka që nuk ta shfaqin ty. Pastaj Allahu i Lartësuar na tregon se çfarë mbanin të fshehtë ata në zemrat e tyre:

– “Ata thoshin: “Sikur të ishte  në dorën tonë kjo çështje, ne nuk do të merrnim pjesë në këtë vrasi.”” – Kuptimi: Nëse çështja do të na lihej në dorën tonë, pra, nëse do të na merrej mendimi, ne nuk do të vriteshim këtu. Ky pohim i tyre tregon shumë gjëra. Së pari, ai është refuzim i përcaktimit të urtë të Allahut të Lartësuar, duke menduar që mund ta ndryshonin këtë përcaktim. Së dyti, ata fajësonin dhe nënçmonin vendimin e Profetit (a.s.) dhe të sahabëve për të luftuar në Uhud. Së treti, ai ishte lavdërim për veten e tyre dhe përpjekje për t’i shpëtuar përgjegjësisë. Por Allahu i Lartësuar u ktheu një përgjigje të plotë:

– “Thuaju: “Edhe sikur të ishit në shtëpitë tuaja, ata që u është shkruar të vriten, do të shkonin patjetër në vendin e vrasjes.”” – Kuptimi: Edhe sikur të ishit në shtëpitë tuaja, shumë larg nga fushëbeteja, ju nuk do mund t’i shpëtoni përcaktimit të të Urtit, sepse asgjë nuk mund ta ndalë dhe ndryshojë përcaktimin e Tij. Vërtet ekziston një lidhje mes shkakut dhe pasojës, por sado i madh të jetë shkaku, nëse bie ndesh me caktimin e Zotit, të shkruar në Leuhi Mahfudh, ai kurrë nuk mund ta sjellë pasojën. Ajo që do të ndodhë ka për të ndodhur sikurse është caktuar nga Allahu i Lartësuar, i Ditur, i Urtë dhe i Drejtë. Jeta dhe vdekja janë të pandashme nga caktimi i Zotit. Ky përcaktim i të Lartësuarit kishte urtësi të shumta, ndër të cilat:

“Allahu e bëri këtë që të provonte atë që është në gjokset tuaja …” – Pra, që Allahu i Lartësuar të provonte besimin, hipokrizinë apo dobësinë e besimit të tyre. Me të tilla përcaktime, del sheshazi besimi i të sinqertëve, hipokrizia e munafikëve dhe dobësia e besimit të disa të tjerëve. Një urtësi është edhe ajo që tregon vetë Allahu kur thotë:

– “… dhe që të shfaqë hapur atë që fshihet në zemrat tuaja. …” – Për të shfaqur qartë vesveset e Shejtanit dhe ndikimin e keq që ato sjellin në personalitetin dhe sjelljet e njerëzve. Në të tilla situata shfaqet gjithçka, madje, çdo aspekt i karakterit dhe i hileve të armikut.

– “Allahu i di mirë të fshehtat e zemrave tuaja.” – Allahu di gjithçka që qëndron e fshehur në gjoks. Megjithatë, urtësia dhe dija e Tij ka përcaktuar të tilla shkaqe, të cilat nxjerrin në pah çdo të fshehtë që rri në kraharor.