Select Page

– “Kur Musait iu shua zemërimi, …” – Pasi u qetësua, Musai u angazhua me çështjen më të rëndësishme:

– “… i mori Pllakat, …” – Musai mori pllakat që kishte hedhur pak më parë. Ato ishin pllaka tepër të rëndësishme. Për të shpjeguar vlerën dhe rëndësinë e tyre, i Madhëruari thotë:

– “… në të cilat kishte udhëzime e mëshirë …” – Ato përmbanin udhëzim dhe mëshirë. Ato kishin udhëzime për rrugën e drejtë, për të vërtetën, për veprat e mira dhe për veprat e këqija, për virtytet dhe veset. Ato përmbanin edhe mëshirën brenda, sepse ishin lumturi e mirësi për ata që zbatonin çfarë shkruhej aty. Ato ishin mëshirë për të gjithë ata që i mësonin normat që gjendeshin brenda tyre, që përvetësonin kuptimet e tyre, që punonin me sinqeritet dhe jetonin sipas tyre.

Por, sigurisht, jo çdokush e pranon udhëzimin dhe mëshirën e Allahut të Lartësuar, jo çdokush e meriton që të jetojë sipas udhëzimit të Tij. Ata që vërtet e pranojnë Shpalljen e Zotit, që jetojnë dhe punojnë sipas saj, duke e pranuar atë me zemër të hapur, janë vetëm ata që kanë një cilësi:

“… për ata që e kanë frikë Zotin e tyre.” – Shpallja do të jetë udhëzim dhe mëshirë veçse për ata që i frikësohen Zotit dhe shpresojnë tek Ai. Ndërsa atyre që nuk i frikësohen Allahut të Lartësuar, që nuk e respektojnë dhe nuk e madhërojnë Atë, atyre kjo Shpallje u shton veçse arrogancën, inatin dhe largimin. Megjithatë, ata nuk do të kenë asnjë justifikim përpara Allahut të Lartësuar.