Select Page

– “Thuaj: “Sillni dëshmitarë që të dëshmojnë se Allahu ka ndaluar këtë e atë!” – Kuptimi: Thuaju atyre të cilët bëjnë haram ato që lejon Allahu dhe pretendojnë se është vetë Allahu Ai që i ka bërë këto ndalesa: “Sillni dëshmitarë, që të dëshmojnë se është Allahu Ai që ka vendosur për të tilla ndalesa!”. Kështu, ata kanë dy mundësi: (a) ose të mos sjellin asnjë dëshmitar, dhe në këtë mënyrë pretendimi i tyre është i papranueshëm për mungesë dëshmish, faktesh dhe provash; (b) ose të sjellin ndonjë që dëshmon për një gjë të tillë.

Por të tilla dëshmi sjellin vetëm ata që janë gjynahqarë të mëdhenj, të cilëve nuk u pranohen dëshmia. Të tilla dëshmi nuk janë çështje për të cilat dëshmojnë të drejtët dhe të sinqertët, prandaj dhe Allahu i Lartësuar e ndalon të Dërguarin e Tij dhe besimtarët nga këto lloj dëshmish. I Lartësuari thotë:

– “Nëse duan të bëjnë dëshmi të rreme, ti mos dëshmo bashkë me ta! Kurrë mos shko pas dëshirave të atyre që argumentet Tona i konsiderojnë si gënjeshtra, nuk besojnë jetën e përtejme dhe sajojnë zota të tjerë si të barabartë me Zotin e tyre!“ – Ata konsiderojnë si të barabartë me Allahun idhujt dhe putat e tyre. Duke qenë se ata janë mohues të Ditës së Gjykimit dhe nuk e njësojnë Allahun e Lartësuar, ata e meritojnë atë besim të shëmtuar dhe ato dispozita të padrejta që i ngarkojnë vetes.

Me fjalë të tjera, besimi i tyre ndërtohet mbi idhujtarinë dhe mohimin e të vërtetës, prandaj është tërësisht me vend që Allahu i Lartësuar ta ndalojë Profetin e Tij dhe të drejtudhëzuarit nga ndjekja e të tillë njerëzve dhe nga pjesëmarrja në dëshmi së bashku me ta. Të gjitha këto tregojnë edhe një herë se ndalimi i atyre gjërave që Zoti i kishte lejuar buronte tërësisht nga dëshirat e tyre të shfrenuara.