– “Thuaju: “A t’ju tregoj për diçka shumë më të mirë se ato? Për ata që janë të devotshëm, janë përgatitur te Zoti i tyre kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, ku ata do të jenë përjetësisht.” – Allahu i Lartësuar na tregon se mirësitë e përgatitura për të devotshmit janë shumë herë më të çmuara se mirësitë e kësaj jete të shkurtër. Ato janë kopshte të dendura e të larta, me banesa të gjera, të rehatshme e plot luks. Kopshtet janë të mbushura me pemë të llojllojshme. Nëpër to rrjedhin lumenj, sipas dëshirës së tyre.
– “Atje do të kenë bashkëshorte të pastra dhe kënaqësinë e Allahut.” – Gratë do të jenë të pastra nga çdo ndyrësi e jashtme dhe e brendshme, trupore, shpirtërore dhe morale. Të gjitha këtyre mirësive u shtohet e u plotësohet bukuria e vlera edhe nga fakti që ato do të jenë të përjetshme për besimtarët. Përveç kësaj, kjo përjetësi do të jetë në kënaqësinë e Allahut. Kënaqësia e Allahut ndaj tyre është mirësia më e madhe që ata do të shijojnë. A mund të krahasohen, pra, kënaqësitë e kësaj jete me ato të ahiretit? Bëj për veten tënde zgjedhjen më të mirë, duke kujtuar dallimin mes dy jetëve, dhe mos harro se
– “Allahu është Gjithëshikues i robërve të Vet.” – Allahu i di në hollësi dëshirat e njerëzve. Ai i di të mirat dhe të këqijat që përmban shpirti ynë. Ai e di shumë mirë se çfarë i përshtatet secilit. Ai i jep sukses atij që Ai dëshiron, dhe lë në humbje atë që Ai dëshiron. Allahu i Lartësuar që i bëri përshkrimin më të bukur Xhenetit të Tij, përshkruan më pas edhe krijesat që e meritojnë atë vend. Kështu, të vetmit që do t’i gëzojnë këto premtime janë të devotshmit, domethënë ata që i ruhen ndëshkimit dhe zemërimit të Zotit të tyre, duke zbatuar çdo urdhër të Tij dhe duke u larguar nga çdo gjë që Ai e ka ndaluar. Këta luten vazhdimisht dhe thonë: