– “Pa dyshim, Ora (e kijametit) do të vijë patjetër, …” – Ora e Kijametit do të vijë patjetër në mënyrë të pakthyeshme.
– “… por Unë e kam fshehur atë …” – Zoti e ka fshehur kohën e kësaj ndodhie, sikurse thotë në një ajet tjetër: “I lartësuar qoftë Ai, në dorën e të Cilit është sundimi i qiejve e i Tokës dhe i gjithçkaje që gjendet ndërmjet tyre! Vetëm Ai e di çastin e Kijametit dhe tek Ai do të ktheheni.” [Zuhruf 85].
Ose: “Njerëzit të pyesin për Orën (e Kijametit). Thuaju: “Për atë di vetëm Allahu. E, ku mund ta dish ti, ai ndoshta është afër!” [Ahzab 63]. Allahu e ka fshehur këtë çështje nga të gjitha krijesat, qofshin melekë të afërt dhe profetë të dërguar. Askush veç Tij nuk e di. Urtësia e ndodhisë së Kijametit është:
– “… që çdokush të shpërblehet sipas përpjekjeve që ka bërë.” – Të gjithë do të marrin atë që meritojnë për veprat e tyre, të mira ose të këqija. Kijameti është porta për në botën e shpërblimit ose ndëshkimit, sikurse thotë i Madhëruari: “Allahut i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë. Ai ka për t’i dënuar ata që bëjnë keq sipas veprave të veta e ka për t’u dhënë shpërblimin më të mirë atyre që bëjnë vepra të mira.” [Nexhm 31].