– ”O njerëz! Ju keni nevojë për Allahun, …” – Allahu i Madhëruar u drejtohet të gjithë njerëzve dhe u tregon për gjendjen e tyre nevojtare, si atribut i tyre i pandashëm. Ai u tregon se ata janë të varfër dhe nevojtarë para Tij nga çdo drejtim.
1. Së pari, Ai i bëri që të ekzistojnë. Nëse Ai nuk do t’i bënte të ekzistonin, ata nuk do të ekzistonin.
2. Ata janë nevojtarë që Allahu t’i pajisë me fuqi e aftësi, me gjymtyrë e shqisa. Nëse Allahu nuk do t’i pajiste me to, ata nuk do të mund të kryenin asgjë.
3. Ata janë nevojtarë që Allahu t’i furnizojë e ndihmojë me mirësi të shfaqura e të fshehura. Nëse nuk do të ishte mirësia, bujaria dhe lehtësimi i veprave nga Ai, asnjë mirësi dhe domosdoshmëri të jetës nuk do të mund të arrinin.
4. Ata janë nevojtarë tek Allahu që Ai të largojë prej tyre çdo ligësi e sprovë të rëndë, çdo dëshpërim nga hallet e kësaj dynjaje e të ahiretit. Nëse nuk do të ishte mbrojtja e Tij e mëshirshme dhe largimi i fatkeqësive e rëndesave prej Tij, ato do të ishin të vazhdueshme mbi robin dhe do ta shkatërronin jetën e tij.
5. Ata janë nevojtarë për edukimin dhe përkujdesin e Tij (si dhe për rregullimin e veprave nga ana e Tij).
6. Ata janë nevojtarë edhe që ta adhurojnë Atë me dashuri. Ata kanë nevojë ta duan Atë, të shpresojnë tek Ai, t’i frikësohen e përgjërohen në adhurime, kanë nevojë t’i shprehin Atij sinqeritetin e plotë në adhurimet e tyre. Kështu lumturohen shpirtrat e tyre dhe gjejnë gëzimin dhe kuptimin e jetës. Nëse Ai nuk do t’i udhëzonte dhe të krijonte në zemrat e tyre këtë besim, ata do të ishin shkatërruar, shpirtrat e tyre do të kishin vdekur, zemrat e tyre do të ishin verbuar dhe gjendja e tyre do të ishte e pashpresë.
7. Ata janë nevojtarë që Ai t’u mësojë atë që nuk e dinë dhe t’u japë forcë që të kryejnë atë që u sjell dobi dhe rregullon gjendjen e tyre. Nëse Ai nuk do t’i mësonte, asgjë nuk do të dinin dhe nëse nuk do t’u jepte fuqi të bënin vepra të mira, gjendja e tyre nuk do të përmirësohej.
8. Ata janë të varfër e nevojtarë kundrejt Tij me gjithë qenien e tyre, në çdo kuptim e këndvështrim, edhe pse ata nuk e kuptojnë ndonjë aspekt të kësaj nevoje. Më i përkryeri është ai njeri që e ndien nevojën e tij në çdo gjendje e çast, si në çështjet e dynjasë, ashtu edhe në çështjet e fesë dhe besimit.
Për këtë arsye, të tillë njerëz i sheh që gjithmonë t’i luten e përgjërohen me këmbëngulje Allahut që kurrë të mos i lerë të mbështeten në forcat e tyre, as një çast të shkurtër sa një pulitje sysh. Ata i luten që Ai t’i ndihmojë e t’u japë dituri e forcë në çdo vepër e çështje. Kjo është një ndjenjë nevoje, që i shoqëron ata në çdo çast të jetës. Këta e meritojnë që Zoti t’i ndihmojë dhe t’i mëshirojë në varfërinë e nevojën e tyre. E si të mos i ndihmojë Ai, që është më i mëshirshëm për ta sesa prindërit për fëmijën e tyre.152
– ”… kurse Allahu është i Pasur dhe i Lavdëruar.” – Ai është i pasur dhe s’ka nevojë për asnjë. Atij i takon pasuria e pavarësia e plotë nga çdo aspekt. Allahu nuk ka nevojë për atë që kanë nevojë krijesat e Tij dhe nuk është i varur e nevojtar, siç janë krijesat. E si mund të ketë nevojë Ai që është i Plotë dhe Absolut në cilësitë e Tij. Të gjitha cilësitë e Tij janë të plota dhe absolute, pa asnjë mangësi dhe të gjitha atributet e Tij janë madhështore dhe të bukura. Pjesë e pasurisë dhe e pushtetit të Tij të madh është edhe fakti që Ai i pasuron dhe furnizon krijesat e Tij në dynja dhe në ahiret.
Allahu është i Lavdëruari në Veten e Tij dhe në cilësitë e Tij, sepse të gjitha ato janë të bukura. Ai është i Lavdëruari për atributet dhe veprat e Tij, që janë të larta dhe të ndërtuara mbi bujarinë, bamirësinë, drejtësinë, urtësinë e mëshirën. Ai është i Lavdëruar edhe për të gjitha urdhëresat e ndalesat e Tij, për ligjin e Tij të mrekullueshëm, sipas të cilit krijesat duhet ta adhurojnë dhe duhet të ndërtojnë jetën e tyre. Ai është i Lavdëruar e meriton dashurinë e plotë e çdo përlëvdim për ato cilësi e vepra të Tij dhe për gjithçka e çdo ligj, mirësi e porosi që vjen prej Tij. Allahu është i Lavdëruar në pasurinë e Tij dhe faktin që është i Vetëmjaftueshëm. Ai është i Pasur e nuk ka nevojë për lavdërimin e krijesave.
152 Kuptimi i fjalës El Rab: Fjala ‘El Rab’ vjen në arabisht me katër kuptime. Dy kuptime kanë lidhje me Qenien e Allahut të Madhëruar dhe Veten e Tij, ndërsa dy të tjerat kanë lidhje me veprat e Tij. Dy kuptimet që kanë lidhje me Qenien e Allahut të madhëruar janë:
1. El Mulk. El Rab do të thotë El Malik – Pronari, Sunduesi. Allahu i Lartësuar thotë: “lilahi ma fis-semauati uel erd” “Të Allahut janë gjithë çka në qiej dhe në tokë”. Ai thotë gjithashtu: “lil-lahi mulku semauati uel erd” (Allahut i takon pushteti dhe mbretërimi në qiej dhe në tokë). Gjithçka në qiej dhe në tokë janë dhe i përkasin Allahut të Lartësuar, janë nën pronësinë dhe sundimin e Tij.
2. El Sejjid. El Rabu është El Sejidu el Mutau, pra, është Zotëria të cilit duhet t’i binden të gjithë. Ai është i Plotë në të qenurit Zot. Arabët e quajnë Rab atë që është Essejid “Zotëri”. Në suren Jusuf, Allahu i Lartësuar thotë: “O shokët e mi të burgut! Njëri prej jush do t’i japë të pijë verë zotëriut të vet, ndërsa tjetri do të kryqëzohet dhe shpezët do të hanë nga koka e tij. Çështja për të cilën kërkuat shpjegim, ka marrë fund. Atij, për të cilin besonte se është i shpëtuar, i tha: “Më përkujto mua te zotëriu yt”. Po shejtani e bëri të harronte që ta përkujtonte te zotëriu i tij, e për këtë mbeti në burg disa vjet.” Në të gjitha këto raste, fjala rab do të thotë es-sejid, pra, zotëria.
Çfarë kuptimi ka kjo fjalë në suren Ihlas: “Allahus-samed”. El Samedu është El Sejidu, të cilit i bindet dhe i nënshtrohet gjithçka dhe tek i cili ngrihen dhe parashtrohen të gjitha çështjet. Prandaj të gjitha çështjet e tua parashtroja dhe kërkoja veçse Atij që është El Sejid – i Ploti në zotërimin dhe sundimin e Tij. Parashtrimi dhe kërkesa e një çështjeje që askush veç Allahut nuk ka pushtetin për ta realizuar, te dikush tjetër veç Allahut, konsiderohet shirk ose idhujtari ndaj Allahut të Lartësuar.
Nëse ia kërkon dikujt tjetër veç Allahut, atëherë ti nuk e ke kuptuar se Allahu është El Sejid – pra, i Ploti në zotërimin e sundimin e Tij. Ajo që kërkohet është mbështetje e plotë tek Allahu, por edhe kryerja e çdo sebepi njerëzor, që është në mundësinë e robit. Nuk duhet të gabojmë në këto dy drejtime. Ne nuk duhet të bazohemi krejtësisht në ndërmarrjen e masave dhe sebepeve njerëzore, por edhe lënia tërësisht e sebepeve është e gabuar. Bazimi krejtësisht në sebepe është kufër, ndërsa lënia e sebepeve tërësisht është mendjelehtësi.
Dy kuptimet që kanë lidhje me veprat e Allahut të madhëruar janë: et-tedbiru dhe et-terbijetu.
1. Et-tedbiru është përkujdesja, rregullimi, administrimi. Allahu është El Mudeb-biru, pra, Kujdestari, Rregulluesi dhe Administruesi. Ai përkujdeset administron dhe rregullon çështjet e krijesave të Tij. Ai u bën atyre bamirësi dhe i trajton me mëshirën e Tij.
2. Et-terbijetu – edukimi . Allahu është El Murabbi, domethënë, Edukuesi, Furnizuesi e Ruajtësi.
Kështu, Allahu i Madhëruar është Krijuesi, Sunduesi, Rregulluesi dhe Edukuesi i krijesave të Tij. Por çfarë rrjedh nga kjo? Ai që ka këto cilësi është i vetmi që meriton të adhurohet. Allahu është Zoti i botëve dhe Atij i takon pushteti zotërimi, përkujdesja dhe rregullimi i çështjeve të krijesave të Tij.
Por diçka duhet të kuptohet mirë. Përkujdesja, edukimi dhe rrergullimi që Ai u ofron krijesave ka lidhje shumë të ngushtë me impenjimin dhe përkushtimin e tyre për ta pranuar dhe reaguar korrektësisht në lidhje me këtë përkujdesje dhe edukim. Gjithashtu, ka lidhje të ngushtë me përkushtimin dhe dedikimin e krijesave drejt Allahut, Zotit të botëve. Është e vërtetë që Allahu i Lartësuar përkujdeset dhe rregullon çështjet e të gjitha krijesave, me një nivel të caktuar përkujdesjeje dhe rregullimi, mohues apo besimtarë, punëmirë apo punëkëqij qofshin ata.
Por përkujdesja dhe rregullimi që Ai u ofron të dashurve të Tij, të cilët janë nënshtruar për ta adhuruar si një të vetëm, është diçka tjetër. Disa robër i shtojnë veprat e mira dhe adhurimet ndaj Zotit ashtu si Ai ka porositur. Çdo e mirë që ata bëjnë i çon dhe i ndihmon ata për të kaluar në një tjetër punë të mirë. Kështu vazhdojnë, derisa rrethi i punëve të mira që ata punojnë zgjerohet dhe zmadhohet. Profeti a.s. ka thënë: “Ruaje (përgjegjësinë dhe detyrat për) Zotin, të të ruajë!”.
Pas kësaj, ti je i ruajtur me mbrojtjen, përkujdesjen dhe ruajtjen e Zotit tënd. Kështu, disa robër nëse përpiqeshin të mos i bindeshin Allahut, nuk do të mundeshin, ashtu si disa të tjerë që, nëse do të përpiqeshin për t’iu bindur Allahut, nuk do të mundeshin. Të dyja grupet hyjnë dhe i nënshtrohen përkujdesit dhe edukimit që Zoti ofron. Në varësi të përkushtimit dhe dedikimit të krijesave është edhe lloji i përkujdesjes, rregullimit dhe edukimit që Allahu i Madhëruar u ofron atyre.
Edukimi dhe përkujdesja ndaj krijesave nuk është i njëjtë. Profeti a.s. ka thënë: “Ruaje (përgjegjësinë dhe detyrat për) Zotin, të të ruajë, “Ruaje (përgjegjësinë dhe detyrat për) Zotin që ta gjesh Atë para teje! Njihe Allahun në kohë begatije e mirësie, që Ai të të njohë në kohë vështirësie dhe shtrëngimi.”
Allahu i Madhëruar i edukon dhe rregullon gjendjen e robërve. Ai e bën këtë duke i bërë të ndiejnë dhe të jenë të sigurt se ata janë nevojtarë për Të dhe të varur prej Tij në çdo aspekt. Prandaj dhe Profeti a.s. ka thënë: “Çudi me çështjen e besimtarit! Të gjitha gjendjet e tij janë mirësi. Nëse e mbulon mirësia dhe begatia, ai falënderon dhe tregon mirënjohje, dhe kjo është e mirë për të. Nëse atë e godet fatkeqësia, ai bën durim, dhe kjo është e mirë për të. Por kjo nuk i ofrohet askujt tjetër veç besimtarit.”. Besimtari është i kënaqur me Allahun.
Në Xhamiun e Termidhiut shënohet: “Ai që kënaqet me Të(me Allahun), kënaqësi do t’i jepet. Ndërsa ai që zemërohet e tregon pakënaqësi me Të(me Allahun), pakënaqësia dhe zemërimi do t’i jepet.” Një gjë është e padiskutueshme dhe e sigurt: Përkujdesja e Zotit për robërit dhe edukimi e përmirësimi që Ai u ofron atyre është i vazhdueshëm dhe jepet me urtësi të madhe. Besimtari kënaqet dhe përjeton kënaqësi të madhe duke iu bindur Allahut dhe në adhurimet përkushtuar Atij. Ai e shijon dhe përjeton kënaqësi në çdo çast që kalon, duke bërë durim thjesht dhe vetëm në emër të adhurimit të Zotit të tij.
Ndërsa i pabinduri e mohuesi, i cili nuk e di dhe nuk e kupton që Allahu i Madhëruar është Rregulluesi, Edukuesi dhe Ai që ofron përkujdesjen dhe përmirësimin e gjendjes së robërve, gjendja e tij është ashtu sikurse e ka përshkruar i Madhëruari kur thotë: “Ka njerëz që e adhurojnë Allahun me luhatje. Nëse e godet ndonjë e mirë, ai qetësohet me të. Por nëse e godet ndonjë sprovë, ai kthehet në fytyrën e vet të vërtetë. Ai i ka humbur dynjanë dhe ahiretin. Ky është ai dështimi i qartë.” [Haxh 11].
Nëse besimtari sprovohet dhe goditet me ndonjë fatkeqësi, ngushtim apo vështirësi, ai vazhdon të jetë i kënaqur me Zotin e tij dhe përcaktimet e Tij të urta. Ai e di mirë se Allahu është Ai që rregullon çështjet e krijesave, përkujdeset dhe i edukon robrit e Tij me më të mirën përkujdesje dhe rregullim. Nëse robi sëmuret ose sprovohet në pasurinë e tij, të dashurit e tij apo në veten e vet, ai e kupton mirë faktin se Allahu është Rab – pra, Zoti, i Pushtetshmi, – është Es-Sejidu, domethënë Zotëria që ka në dorë të gjitha çështjet; është El Maliku – Pronari dhe Sunduesi i gjithçkaje; është El Mudebbiru – Kujdestari dhe Rregulluesi i çështjeve të rrobërve ; është El Murabbi Edukatori i robërve të Tij. Ai e kupton mirë faktin se Allahut i takon të bëjë gjithçka që Ai dëshiron, për shkak se Ai është i plotë në zotërimin dhe pushtetin e Tij. Allahu i Madhëruar nuk pyetet për atë që bën, por krijesat do të pyeten.
Allahu i Madhëruar në përkujdesjen, edukimin, administrimin dhe rregullimin e çështjeve të krijesave, ka vendosur rregulla dhe kritere të mrekullueshme dhe të urta. Ai përkujdeset për ta dhe rregullon çështjet e tyre me Sheriatin që ka vendosur për ta, por edhe me kaderin e Tij të urtë dhe të pacenueshëm. Kaderi i Tij nuk mund të mposhtet dhe të cenohet, ndërsa në çështjen e zbatimit ose jo të Sheriatit të Tij i ka lënë robërit të lirë që të bëjnë zgjedhjen e tyre. Dhe pikërisht kështu u sprovuan krijesat. I Madhëruari i sprovon krijesat me kaderin dhe kadanë e Tij, dhe kaderi i Tij kurrë nuk mund të mposhtet dhe cenohet. Por nga ana tjetër, Ai i edukon robrit dhe i udhëzon ata që të rregullojnë çështjet e tyre përmes Sheriatit të Tij. Përmes këtij Sheriati, Ai i urdhëron e ndalon dhe i lë robërit të lirë, që të bëjnë zgjedhjen e tyre. E gjitha kjo është pjesë e tedbirit dhe terbijes së Allahut të Madhëruar.
Për të shpjeguar lidhjen e ngushtë mes kaderit dhe Sheriatit, si dhe terbijes dhe tedbirit, që Allahu ofron për njerëzit, le të sjellim një shembull që ka lidhje me pasurinë dhe pronësinë. Allahu i Madhëruar e ka pajisur njeriun me instinkte. Prej instinkteve të njeriut është dëshira për të pasur prone. Njeriu e do pronën. Madje edhe një foshnjë, nëse i jep diçka në dorë, kur do që t’ia heqësh nga dora, e shtrëngon dhe nuk të lejon t’ia marrësh. Prandaj i Madhëruari e përshkruan njeriun duke thënë: “ju e doni pasurinë me një dashuri të madhe” [Fexhr]. Ndërsa Profeti a.s. ka thënë: “Sprova e umetit tim është pasuria”. Pasuria është fitne, qoftë kur është e vogël, qoftë kur është e madhe. I varfri është në sprovë por edhe i pasuri është në sprovë. Kështu, Allahu i Madhëruar e krijoi dhe e përcaktoi që ne ta kemi këtë instinkt.
Brenda nesh gjendet ajo që quhet koprraci. Allahu ka thënë “Ai që është ruajtur nga koprracia e vetes së tij, me të vërtetë ka fituar.” Çdokush ka brenda vetes koprraci. Ndërsa Allahu e ka treguar se shpëtimi është i lidhur me ruajtjen nga kopracia. Allahu vërtet ka krijuar tek ne koprraci dhe e ka përcaktuar me kaderin e Tij, por në të njëjtën kohë na edukon dhe na fton që të rregullojmë çështjet tona përmes Sheriatit të Tij, duke thënë: “Ai që është ruajtur nga koprracia e vetes së tij, me të vërtetë ka fituar.”
Kështu, fakti që Allahu është Rab, Malik, Sejjid, Mudebbir dhe Murabbi, shfaqet dhe del në pah qartë dhe në një lidhje shumë të ngushtë mes kaderit dhe Sheriatit të Tij. Allahu i Madhëruar, përmes Sheriatit të Tij, na edukon dhe përkujdeset që të rregullojë çështjet tona. Këtë Ai e bën shkallë-shkallë, plot urtësi, mëshirë dhe butësi. Stili i Tij është i mrekullueshëm dhe lehtësisht i pranueshëm. Mendohu pak në këto ajete. “Allahut i takon pushteti i qiejve dhe i tokës.” . Ai i njofton krijesat se çdo gjë që ata e zotërojnë në këtë dynja, do të vijë dita që ata të largohen dhe çdo gjë do të kthehet tek Ai.
Por, nga ana tjetër, për të na edukuar dhe përmirësuar shkallë-shkallë, na thotë: “Gjithçka që ju shpenzoni, ajo është e juaja.” Ose thotë: “Faleni me rregull namazin, jepni zekatin dhe jepni për hir të Allahut hua të mirë! Çfarëdo të mire të përgatisni për veten tuaj, atë do ta gjeni tek Allahu më të mirë dhe më të shpërblyer! Kërkoni falje prej Allahut, se, pa dyshim, Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë!” [Muzemil 20].
Gjithashtu, thotë: “S’ka dyshim se atyre që japin sadaka dhe që i japin Allahut një hua të mirë, atyre do t’u shumëfishohet ajo dhe do të marrin shpërblim të madh. Ata që besojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, të sinqertët dhe dëshmorët, ata kanë te Zoti i tyre shpërblimin dhe dritën e vet, ndërsa ata që e mohojnë shenjat Tona janë banorë të Xhahimit. Dijeni se jeta e kësaj bote është veçse një lojë, kalim kohe në argëtim, stoli e krenari mes jush dhe përpjekje në shtimin e pasurisë dhe të fëmijëve. Ajo i ngjan atij shiu, prej të cilit bima i habit bujqit, por pastaj ajo thahet dhe e sheh të verdhë, mandej përthyhet dhe kalbet. Ndërsa në botën tjetër ka dënim të rëndë, por edhe falje gjynahesh dhe dhurim kënaqësie nga Allahu. Jeta e kësaj bote nuk është gjë tjetër, vetëm se një përjetim mashtrues. Shpejtoni që të fitoni faljen prej Zotit tuaj dhe Xhenetin, gjerësia e të cilit është sa gjerësia e qiellit dhe e Tokës dhe që është përgatitur për ata që i besojnë Allahut dhe të dërguarve të Tij. Ai është mirësia e Allahut, që ia jep kujt të dojë; Allahu është Dhurues i madh.” [Hadid 18 – 21].
Gjithashtu: “Luftoni për hir të Allahut dhe ta dini se Allahu është Dëgjues dhe i Gjithëditur. Kush është ai që do t’i japë Allahut një “hua” të mirë, që Ai t’ia shtojë atë shumëfish? Allahu shtrëngon dhe po Ai çliron. Vetëm tek Ai është kthimi juaj. [Bekare 244, 245]. Ky është një edukim dhe rregullim përmes Sheriatit, që njerëzit të pastrohen nga koprracia. Në këtë mënyrë, i Madhëruari na jep mundësinë për të zgjedhur që të pastrohemi nga koprracia dhe që pasuria të jetë në dorën tonë thjesht si një mjet dhe jo të bëhet qëllim.
Nëse shpirtrat e njerëzve, përmes këtij Sheriati dhe sipas tij, bëhen më të gjera sesa pasuria, pushteti dhe postet, atëherë ummeti do të jetë në mirësi dhe begati. E kundërta vlen për të kundërtën. Sa e sa njerëz bien në një nga krimet më të mëdha dhe të dënueshme, siç është fajdeja, ndërkohë që kanë miq farefis dhe të afërm të cilët kanë mjaftueshëm pasuri që të mos e lejojnë atë të bjerë në këtë gabim kaq fatal. Nëse do t’ia jepnin borxh dhe të bënin durim, do të ishte një lehtësim dhe rregullim i madh. Ai që i shikon këto nivele të këshillës dhe edukimit e kupton se Allahu është Edukator i robërve të Tij.
Duke qenë se Allahu i Madhëruar është i plotë si Edukator dhe Rregullues i çështjeve tona, Ai nuk na lë të jemi të shkujdesur dhe të hallakatur. Ai vendosi rregullat e Tij të krijimit dhe kaderit në gjithësinë e Tij, por gjithashtu na shpalli edhe rregullat e Sheriatit të Tij, përmes të cilave Ai rregullon çështjet tona dhe na edukon, nëse ne do të bënim zgjedhjen e duhur dhe të bënim durim në të. [Shkëputur nga mësimi i shejh Meshhur Hasen Al Selman në Tefsir.]