– ”Ne i shpëtuam atë dhe të tjerët që ishin në anije së bashku me të.” – Këta ishin besimtarët, që kishin hipur në anije së bashku me Nuhun dhe atë pjesë të familjes së tij që e besoi atë.
– ”Ne e bëmë atë (anijen) argument për tërë botën.” – Allahu e bëri këtë anije ose historinë e Nuhut një shenjë të madhe për njerëzit, që ata të marrin mësim se, kushdo që mohon profetët, fundi i tyre do të jetë shkatërrimi, ndërsa besimtarëve Allahu do t’u sjellë çlirim në çdo ngushti dhe sprovë.
Gjithashtu, Allahu i Lartësuar e bëri anijen tregues të mëshirës së madhe të Tij, që u mësoi njerëzve si ta ndërtojnë e të përfitojnë prej saj. Ai u mundësoi njerëzve gjithçka që kanë nevojë për të ndërtuar dhe përdorur anijet e mjetet transportuese të ndryshme. Nëpërmjet tyre, ata mund mbartin mallrat e tyre dhe të udhëtojnë në det e tokë.