– ”Argumentet Tona i besojnë vetëm ata, të cilët kur u lexohen ato (si këshillë), bien me fytyrë përtokë dhe e madhërojnë dhe lavdërojnë Zotin e tyre me tesbih dhe kurrë nuk tregohen kryeneçë.” – Ja këta janë ata që kanë iman të vërtetë dhe të plotë, iman që shoqërohet me punë të mira treguese të imanit të zemrës. Këta janë ata të cilët: “… kur u lexohen ato (si këshillë), bien me fytyra përtokë dhe e madhërojnë dhe lavdërojnë Zotin e tyre me tesbih.” kur atyre u lexohen ajetet e Kur’anit dhe u vijnë këshillat e Zotit përmes profetëve që të marin mësim, të nënshtrohen e të adhurojnë Zotin, ata i dëgjojnë me shumë kujdes i pranojnë dhe nënshtrojnë për t’i zbatuar. Aq i sinqertë dhe i vërtetë është ky nënshtrim dhe përkushtim saqë shfaqet haptazi kur ata bien me fytyra përtokë dhe e madhërojnë dhe lavdërojnë Zotin e tyre me tesbih.
Kështu ata tregojnë përunjësinë e nënshtrimin ndaj urdhëresave të Zotit, respektimin e madhërimin për Allahun dhe gëzimin dhe kënaqësinë që ndiejnë me njohurinë dhe diturinë që kanë për Zotin dhe rreth Zotit të madhërishëm. Aq e thellë është njohuria dhe dituria për Zotin saqë: “…ata kurrë nuk tregohen kryeneçë.” Ata kurë nuk i sheh që të tregohen kryeneçë e mëndjemëdhenj, as me zemrat e tyre, as me trupin e tyre, dhe as të heqin dorë nga bindja ndaj Zotit. Madje i sheh modestë, të thjeshtë e të përulur, thjeshtësi kjo që u vjen e nxitet prej ajeteve dhe argumenteve të Zotit. Ata i dorëzohen tërësisht Allahut duke jetuar sipas atyre ajeteve dhe të gjithë këtë e bëjnë me gjoks të zgjeruar dhe plot kënaqësi. Me këtë dorëzim e nënështrim të plotë ata arrijnë të kënaqin Zotin Mëshirëplotë dhe kështu dalin faqebardhë duke gjetur udhëzimin e plotë në rrugën e drejtë.